Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka përgënjeshtruar akuzat e deputetes demokrate, Albana Vokshi, e cila publikoi disa disa emaile të ish-drejtoreshës së QSUT-së Albana Fico, që sipas saj urdhëronte drejtorin e IT, Rigers Haxhirajn të ndryshonte datat e skadencës së ilaçeve me qëllim që të trajtoheshin fëmijët e sëmurë.
Përmes një njoftimi zyrtar, QSUT shprehet se këto pretendime janë të pavërteta, ndërsa e-mailet e bëra publike nga Vokshi kanë të bëjnë me procesin e menaxhimit administrativ.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët se lajmet e fundit të publikuara nga disa media për cilësinë e medikamenteve të përdorura në QSUT, janë të pavërteta!
NË QSUT nuk përdoren ilaçe të skaduara!
Ato që janë servirur si “dokumente” dhe “prova” kanë të bëjnë me procesin e menaxhimit administrativ, dhe NUK kanë të bëjnë në asnjë rast me lëvizjen fizike të sasisë gjendje të medikamenteve të magazinuara dhe aq më tepër për përdorimin e tyre për pacientët.
Kjo është lehtësisht e provueshme *në Farmacinë e Spitalit*
Ngritja e këtyre pretendimeve të pabaza, PO DËMTON QËLLIMISHT punën e ekipit mjekësor në shërbim të pacientëve”, thuhet në reagim.
Më tej theksohet se lëvizja e çdo medikamenti në këtë institucion shëndetësor kryehet brenda afatit dhe çdo medikament i skaduar bllokohet menjëherë, procedurë kjo sipas QSUT që kryehet në çdo rast.
“Sqarojmë se në sistemin elektronik SISP, lëvizja e medikamenteve në të gjitha nivelet, nga Farmacia Qendrore deri në nivel pacienti, bëhet vetëm brenda vlefshmërisë (skadencës) së medikamentit, dhe pas këtij afati, çdo lëvizje bllokohet automatikisht nga sistemi në të gjitha nivelet.
Theksojmë që për terapinë ditore të pacientit, është e bllokuar dhe e pamundur të shkarkohet një medikament i skaduar.
Nuk ekziston dhe nuk ka asnjë rast apo mundësi të ndryshimit të skadencës së një medikamenti.
Në lidhje me rastin e pretenduar theksojmë se për nevoja administrative, me qëllim diferencimin e medikamentit të skaduar është kërkuar transferimi i sasisë së medikamentit të skaduar nga një magazinë në tjetrën. Kjo për arsye se medikamenti i skaduar fizikisht duhet zhvendosur në karantinën e përcaktuar për ruajtjen e medikamenteve të skaduara, sipas rregullave në fuqi. Kjo procedurë po përdoret në mënyrë spekulative si rast ku këto ilaçe janë përdorur për pacientët. Sigurojmë se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe se sasia stok e medikamenteve të skaduara është e pandryshuar. Nëse do ishte përdorur, do kishte ndryshim të gjendjes stok, çka provon se ky pretendim i hedhur qëllimisht në media është dezinformues.”, thuhet më tej.
Po ashtu, në reagim përgënjeshtrohet edhe pretendimi se një sasi flakonësh të medikamentit FEIBA iu është ndryshuar data e skadencës./vizionplus.tv

