Personi që shfaqet në foto është Vasil Pilo, i riu shqiptar që humbi jetën këtë të martë në një aksident tragjik në Rumani, ku mbetën të vdekur gjithsej 7 tifozë të PAOK.

Identifikimi i tij është bërë zyrtarisht nga policia rumune, e cila ka përcjellë informacionin edhe pranë autoriteteve greke. Lajmi është konfirmuar gjithashtu nga burime pranë ambasadës shqiptare në Greqi.

Vasil Pilo jetonte prej vitesh me familjen e tij në Alexandria të Imathias, në Greqi.

Miqtë e tij tregojnë se ai ishte një tifoz i përkushtuar i PAOK, i pranishëm në çdo ndeshje të skuadrës së zemrës, ndërsa udhëtimi drejt Francës ishte pjesë e kësaj pasioni.

Ndërkohë, Genci Sadiku, shqiptari tjetër i përfshirë në aksident, ka arritur të komunikojë shkurtimisht me familjen e tij, duke i siguruar se është jashtë rrezikut për jetën.

“Nuk e di si jam gjallë, por jam mirë. Do të kthehem në Shqipëri”, kanë bërë të ditur familjarët e tij për mediat greke.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe botën e tifozëve të PAOK.

Share.
Exit mobile version