Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e 40-vjeçarit Mirel Çokaj, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në malet e Kelmendit, në Malësinë e Madhe.

Fillimisht policia e cilësoi ngjarjen si një rrëzim aksidental, por pas dyshimeve të ngritura nga familjarët dhe të afërmit, çështja nuk është pushuar dhe hetimet po vijojnë.

Sipas burimeve, personi që ngriti dyshimet për një vrasje të mundshme ishte rIfat Çokaj, i afërm i viktimës, aktualisht rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngjarja ndodhi më 18 shtator 2025, kur policia mori njoftimin se një person ishte rrëzuar në fshatin Kozhnje të Malësisë së Madhe.

Përmes dronit, efektivët konfirmuan se trupi i përkiste 40-vjeçarit Mirel Çokaj.

Pas 24 orësh, trupi u nxor nga humnera me ndihmën e helikopterit të forcave të armatosura.

Familjarët e viktimës dyshojnë se bëhet fjalë për një vrasje të maskuar si aksident, pasi sipas tyre, Çokaj ndodhej në një parcelë me kanabis rreth një orë larg vendit ku u gjet trupi.

Ata pretendojnë se viktima e kishte parcelën bashkë me disa persona të tjerë dhe se konflikti për ndarjen e fitimit mund të ketë çuar në shtyrjen e tij drejt humnerës.

Në parcelën ku dyshohet se punonte Çokaj, policia asgjësoi 780 bimë kanabis, duke konfirmuar se viktima kishte qenë në atë zonë pak para vdekjes.

Dyshimet e familjarëve janë shtuar edhe për shkak se telefoni celular i viktimës nuk është gjetur.

Ata mendojnë se personi ose personat përgjegjës mund ta kenë hedhur apo fshehur atë në mënyrë që të zhdukin provat./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version