Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Vlorë, ku ka humbur jetën tragjikisht 17-vjeçari Leandro Shametaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mesnatës, dhe sipas dëshmitarëve, përplasja ka qenë tepër e fortë, duke rezultuar fatale për të miturin, i cili ka ndërruar jetë në vend.
Pas aksidentit, trupi i viktimës u transportua në morgun e spitalit të Vlorës, ku familjarët dhe të afërmit kanë pritur për orë të tëra kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore.
I dërrmuar nga dhimbja, gjyshi i Leandros ka reaguar, duke akuzuar institucionet për mungesë veprimi dhe neglizhencë:
“Unë jam gjyshi i të ndjerit. Djali i vajzës time u aksidentua mbrëmë në orën 12 të natës dhe u soll në morgun e spitalit të Vlorës. Kemi rreth 8 orë këtu dhe nuk vjen asnjë mjek për të bërë veprimet e nevojshme. Nuk e dimë çfarë shteti është ky, shtet që nuk punon. Rrinë 30 policë këtu e askush nuk merr asnjë masë për mjekun ligjor. Të vij unë e të marr kufomën pa ekspertizë? Një makinë ma vrau djalin me 220 km në orë dhe asnjë polic nuk ishte në vend. Ky nuk është shtet, është turp!” është shprehur ai.
Familjarët kërkojnë drejtësi dhe transparencë për rrethanat e aksidentit, duke denoncuar vonesat e institucioneve dhe mungesën e komunikimit zyrtar. Sipas tyre, çdo orë pritjeje e bën edhe më të rëndë dhimbjen për humbjen e 17-vjeçarit.
/vizionplus.tv
