Ozzy Osbourne, këngëtari legjendar i grupit Black Sabbath, ka vdekur në moshën 76-vjeçare, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.
Lajmi është konfirmuar nga familja e tij.
“Me një trishtim që fjalët nuk mund ta përshkruajnë, ju njoftojmë se i dashuri ynë Ozzy Osbourne ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ai ishte i rrethuar nga familja dhe dashuria. Ju kërkojmë të respektoni privatësinë tonë në këtë kohë të vështirë.”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga familja.
Ozzy Osbourne ishte një ikonë e muzikës, i cili u bë i njohur si anëtar themelues dhe këngëtar kryesor i grupit Black Sabbath në vitin 1968.
Grupi ishte një nga pionierët e zhanrit të muzikës heavy metal, duke shkruar këngë ikonike si Paranoid, War Pigs dhe Iron Man.
Pas largimit nga Black Sabbath në vitin 1979, për shkak të tensioneve në rritje me anëtarët e tjerë të grupit, Osbourne nisi një karrierë të gjatë si artist solo, duke publikuar më shumë se një duzinë albumesh. Kënga e tij debutuese si solo, Crazy Train, e publikuar një vit më vonë, është ndoshta një nga këngët më të famshme të tij.
Artisti i lindur në Birmingham u bë i njohur edhe për shfaqjet energjike dhe shpesh të diskutueshme në skenë.
Në fillim të viteve 2000, Osbourne dhe familja e tij u bënë yje të televizioneve realitet, pas lançimit të emisionit The Osbournes.
Programi, që përfshinte gjithashtu gruan e tij Sharon, vajzën Kelly dhe djalin Jack, paraqiste jetën kaotike të familjes në Los Anxhelos./Reporteri.net
Vdes legjenda e rockut, Ozzy Osbourne / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.