Një DJ i famshëm italian i cili performonte në të gjithë botën, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare pas dhunës nga policët gjatë një feste në shtëpi.
Michele Noschese, i njohur si DJ Godzi, u sulmua në shtëpinë e tij nga policët gjatë një feste në orët e vona të natës në Ibiza, shkruan Metro.
DJ italian jetonte në Ibiza prej 10 vjetësh dhe ishte i njohur në ishull, ndërsa performonte rregullisht në Londër, Paris,Barcelonë dhe NewYork.
Ai ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës dhe autoritetet spanjolle po hetojnë vdekjen e tij, e cila është njoftuar nga miq të shumtë dhe faqe të ndryshme të muzikës elektronike.
Michele kishte organizuar një festë në shtëpinë e tij kur fqinjët telefonuan Gardën Civile për shkak të zhurmës së lartë. DJ u përplas me disa punonjës policie dhe u dhunua prej tyre, sipas disa dëshmitarëve, para se trupi i tij të dërgohej në morg.
Autoritetet po presin për ekspertizën mjeko-ligjore që të përcaktojnë shkakun e vdekjes. Familja e DJ ka kërkuar një ekspertizë mjeko-ligjore të pavarur, ndërsa policia italiane po kërkon përgjigje.
“Ne duam të dimë të vërtetën për vdekjen e Michele Noschese. Duam të kuptojmë çfarë ndodhi dhe cila është përgjegjësia e Gardës Civile. Vdekja e papritur e një të riu napoletan të sukseesshëm dhe të pëlqyer, një DJ i njohur ndërkombëtarisht, s’mund të mbetet në hije”, tha Fulvio Martusciello nga partia Forza Italia.
Vdes DJ i njohur italian, dyshohet për dhunë nga policia / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.