Klubi i librave i Dua Lipës po bën bujë, tani edhe intervistat e saj me autorë fitues të çmimit Pulitzer po fitojnë fansa të rinj.

Dua Lipa është, pa dyshim, e mirë në shumë gjëra. Ajo këndon, vallëzon, shkruan dhjetëra këngë dhe ka bashkë-dizajnuar një koleksion me Donatella Versace.

Por nëse dikush do t’ju thoshte se ajo sapo ka dalë fituese në një “duel” në stilin Mortal Kombat si intervistuesja më e mirë letrare, ndoshta do të mendonit se ai person e ka marrë shumë seriozisht këngën e saj Hallucinate.

Megjithatë, kjo ka ndodhur, në një video në YouTube që ka mbledhur mbi një milion shikime në pak javë. Dhe argumenti që jep videoja është… habitshëm bindës. “Po bëja kërkime për një ese-video rreth cilësisë së intervistave letrare në vende të ndryshme”, thotë shkrimtari Blake Lefray, i cili e krijoi videon për kanalin e tij ende të ri.

Ai hasi në intervistën e Lipës me Hernan Diaz, autor i romanit Trust, fitues i çmimit Pulitzer, dhe mbeti i habitur, shkruan “The Guardian“.

Edhe pse e kishte parë Diaz-in të intervistohej disa herë nga gazetarë dhe prezantues televizivë, intervista e Lipës ishte “pa dyshim më e mira”, thotë ai.

“Fillimisht mendova se ta shpallja Dua Lipën si intervistuesen më të mirë të shkrimtarëve do të ishte thjesht një titull që të tërheq klikime, por sa më shumë i shikoja intervistat e saj, aq më shumë e kuptoja se, për mua personalisht, ajo është më e mira për momentin. Bën pyetje të zgjuara me empati dhe kureshtje”.

Kjo mund të tingëllojë si ekzagjerim, por pas vetëm dy-tri intervistash, kuptohet se ka diçka ndryshe nga intervistat standarde të shtypit.

Në intervistën me Diaz-in, ajo e pyet nëse një nga personazhet e tij bazohet në një gazetar investigativ që kishte ekspozuar John D. Rockefeller-in dhe kishte ndikuar në shpërbërjen e monopolit të kompanisë Standard Oil – dhe Diaz, i cili nuk e kishte dëgjuar kurrë këtë gazetar, mbetet i befasuar.

Në një bisedë me fituesen e çmimit Nobel, Olga Tokarczuk, flasin gjatë për rëndësinë e poetit William Blake si figurë kundër-sistem në Poloninë komuniste.

Në një tjetër intervistë me autorin e Lincoln in the Bardo, George Saunders, diskutimi shkon drejt rëndësisë së të qenit jo-gjykues gjatë draftit të parë të një romani, dhe në një moment, vetë Saunders, paksa i emocionuar, e pyet Lipën se si ishte të performonte në Glastonbury.

Këto nuk janë fare intervista të zakonshme televizive. Në emisionet e natës, pyetjet janë zakonisht të lehta, Jimmy Fallon, për shembull, gjithmonë e nis me “Si ndihesh që ke shkruar një libër bestseller?”, ndërsa Seth Meyers kaloi pjesën më të madhe të intervistës me Diaz duke e pyetur për stilolapsin që përdor për të shkruar me dorë.

Lorraine Kelly dhe Angela Rippon bëjnë pyetje pak më të thella, por segmentet e tyre janë aq të shkurtra, sa nuk ka kohë për diskutime të gjata mbi fatin, empatinë apo martesën nën qeveritë e djathta, transmeton Klankosova.tv.

Podcast-et dhe festivalet letrare janë alternativë më e mirë, por edhe ato, siç vëren Lefray, janë më pak konsistente se Dua Lipa: ndonjëherë të ngathëta, ndonjëherë të sikletshme dhe shpesh përdorin fjalë si “pak a shumë”.

Si po e arrin ajo këtë sukses? Para së gjithash, Dua Lipa duket se lexon shumë: në një fjalim në ceremoninë e çmimit Booker më 2022, foli për ndikimin që kishin pasur veprat e Ismail Kadaresë tek ajo si adoleshente, duke e njohur me shpirtin e rezistencës shqiptare.

Intervistat e saj janë pjesë e klubit të librave që ajo udhëheq përmes faqes së saj të stilit të jetesës, Service95.

Edhe pse ndonjë cinik mund të thotë se është vetëm mënyrë për të ndërtuar markën personale dhe për të fituar përmes linkeve të sponsorizuara (ashtu si Reese Witherspoon, Dakota Fanning, Natalie Portman dhe Oprah), ajo ka filluar të rekomandojë libra që nga viti 2019, me një grup të vogël shoqesh.

Ka postuar rekomandime në Instagram shumë përpara se të krijonte Service95, dhe rafti i saj i librave, që duket shpesh në sfondin e intervistave, është plot me libra të veçantë, nga The Story of Art Without Men e Katy Hessel te Rap Capital i Joe Coscarelli-t.

Ndoshta, si dikush që ka dhënë qindra intervista vetë, ajo e kupton mirë çfarë e bën një intervistë të mirë: pyetjet që artistët i duan dhe i urrejnë, ato që dëshirojnë të dëgjojnë, dhe ato që i ndihmojnë të hapen.

Nuk është e qartë nëse pyetjet i shkruan vetë, përfaqësuesit e saj nuk kanë kthyer përgjigje, por ajo duket gjithmonë e përgatitur: njeh personazhe dytësorë, subplote, dhe asnjëherë nuk mbetet e zënë në befasi nga ndonjë koment i autorit.

Përtej të gjithave, ndoshta Dua Lipa është intervistuese e mirë sepse lexon siç shpresojnë autorët që të lexohet vepra e tyre: me pasion dhe për kënaqësinë e përjetimit.

Është e dukshme që ajo lexon me mendje dhe zemër, duke e kuptuar veprën në thellësi, gjë që e çon natyrshëm në pyetje të ndjeshme dhe të sakta.

Nëse i dëgjon disa nga intervistat e saj, është e pamundur të mos të lindë dëshira për të lexuar më shumë, më gjerë, apo më thellë. Dhe mbi të gjitha… ajo ka shkruar edhe Houdini. Tani është radha e Fallon-it të përmirësohet./Klan Kosova

The Guardian: A është Dua Lipa intervistuesja më e mirë letrare? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version