Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka vlerësuar  bashkëpunimin ndërmjet misionit të udhëhequr nga NATO – KFOR dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në operacionin e kërkim-shpëtimit për një person të zhdukur në Liqenin e Ujmanit gjatë së martës.

Ambasada britanike e cilësoi këtë ndërhyrje si dëshmi të profesionalizmit dhe efikasitetit të FSK-së në kapacitetet e saj të kërkim-shpëtimit, duke theksuar se veprimi është në përputhje me marrëveshjet e kahmotshme ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së.

“Ne e vlerësojmë KFOR-in për mbështetjen dhe sigurimin e rendit gjatë gjithë këtij operacioni dhe u shprehim ngushëllimet tona familjes së personit që fatkeqësisht humbi jetën”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë.

Britania ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për misionin e KFOR-it, duke e konsideruar atë thelbësor për garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.

Po ashtu, është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it për suksesin e misionit të NATO-s në vend.

Njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës,  janë angazhuar ditën e djeshme në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit 33 vjeçar, i cili të dielën pasdite është hedhur në liqenin e Ujmanit dhe nuk është parë më.

Disa orë pas angazhimit të FSK-së është gjetur trupi i pajetë. Paraprakisht, operacioni i FSK-së e ka marrë dritën e gjelbër nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, me arsyetimin se ka të bëjë me qëllime humanitare.

Gjatë ditës së djeshme, Ambasada e Gjermanisë reagoi ashpër duke kritikuar përpjekjet për politizim të kësaj çështje. Një reagim të ashpër e pati edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot. /Reporteri.net/

Operacioni në Ujman, Ambasada britanike vlerëson koordinimin mes KFOR-it dhe FSK-së / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version