Momente tmerri ka përjetuar influencerja franceze Soraya Riffy, 30 vjeç, pasi dy grabitës hynë me forcë në banesën e saj në Marsejë mbrëmjen e së premtes. Sipas raportimeve, autorët e sulmit e goditën, e lidhën dhe e spërkatën me zbardhues, duke i shkaktuar dëme të rënda fizike dhe psikologjike.
Një nga grabitësit kishte trokitur në derë duke u shtirur si fqinj që kishte humbur çelësat, për të mashtruar influenceren dhe për të hyrë në apartament. Pasi ajo hapi derën, ata e sulmuan me mjete të forta dhe armë të ftohta.
“E lidhën, e goditën me armë dhe thika dhe e kërcënuan se do ta vrisnin”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të saj.
Grabitësit morën me vete një byzylyk të markës Cartier, dy çanta luksoze, një orë Rolex dhe çelësat e shtëpisë dhe të makinës.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë edhe dyshimet për një përdhunim, pasi Soraya Riffy humbi ndjenjat gjatë sulmit dhe nuk mban mend gjithë ngjarjen. Ajo ka deklaruar për gazetën Le Parisien se “shenjat në trup dhe dhimbjet që ndjej i bënë mjekët të dyshojnë se mund të jem dhunuar seksualisht kur isha pa ndjenja”.
Përfaqësuesi i saj shtoi:
“Trupi i saj është si një skenë krimi. Ajo ka pësuar tronditje në tru dhe është e shkatërruar fizikisht dhe emocionalisht.”
Gjithashtu, është zbuluar se dy javë para sulmit, 30-vjeçarja kishte marrë kërcënime dhe përpjekje për shantazh nga persona të panjohur, të cilët kërkonin para.
E tronditur nga ngjarja, Soraya Riffy ka deklaruar:
“Jam e shkatërruar, e neveritur dhe e frikësuar. Ekspozimi në media po bëhet i rrezikshëm. Do të largohem përgjithmonë nga Marseja dhe për momentin do të tërhiqem edhe nga rrjetet sociale.”
Soraya Riffy është një nga influencueset më të njohura në Francë, me mbi 1 milion ndjekës në rrjetet sociale. Ajo u bë e famshme në vitin 2016, pas pjesëmarrjes në një talk show televiziv, dhe që atëherë ka publikuar përmbajtje të lidhura me modën dhe fitnesin.
Influencerja e njohur përjeton tmerr, hajdutët i hyjnë në shtëpi dhe e rrahin brutalisht, dyshohet për abuzim seksual / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.