Chris Martin, këngëtari i Coldplay, e mori me shaka: “Shikojini këta dy, ose kanë një lidhje sekrete ose janë shumë të turpshëm”. Por, si duket, pa dashje (ose ndoshta jo), ai qëlloi në shenjë.
Fillimisht, nuk ishte e qartë nëse çifti i kapur nga kiss cam në një koncert në Boston ishte thjesht i turpshëm. Por interneti, i gjithëpushtetshëm dhe gjithmonë i etur për drama, zbuloi shpejt se ata ishin në fakt tradhtarë. Partnerët dhe fëmijët e tyre tashmë e dinë, falë një valë komentesh dhe mesazhesh në rrjetet sociale drejtuar të tradhtuarve.
Si nisi gjithçka: një përqafim dhe një kamera
Gjithçka ndodhi në Gillette Stadium, gjatë një koncerti të Coldplay. Në ekranin gjigant të stadiumit u shfaq një çift që dukej i lumtur dhe shumë i afërt. Kur kuptuan që po transmetoheshin drejtpërdrejt në ekran, ajo mbuloi fytyrën, ndërsa ai u përpoq të fshihej duke u ulur. Në atë moment, Chris Martin e komentoi skenën me humor të lehtë, duke shtuar: “Shpresoj që të mos kem bërë diçka të keqe”. Por, dëmi ishte bërë.
Shpejtësia e rrjeteve: identitetet u zbuluan brenda pak orësh
Çfarë ndodhi më pas? Videoja u bë virale. Përdoruesit e rrjeteve sociale u vunë në kërkim të identitetit të çiftit. Brenda orësh, emrat, kompanitë ku punonin, statusi civil dhe familjet e tyre u zbuluan dhe u publikuan si ushqim për turmën.
Sipas Corriere della Sera, burri ishte CEO i një kompanie që ofron zgjidhje software dhe inteligjencë artificiale. Ajo, drejtuese e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, punësuar vetëm shtatë muaj më parë. Profilët e tyre në LinkedIn u kthyen në një arenë publike, aq sa kompania bllokoi aksesin drejt tyre në faqen zyrtare.
Edhe partnerët e tyre “zyrtarë” u përfshinë në këtë vorbull. Gruaja e CEO-së, për shembull, u bombardua në Facebook me komente dhe video nga TikTok ku dyshja kapeshin mat. Ajo hoqi mbiemrin e burrit nga profili i saj dhe më pas mbylli të gjitha rrjetet sociale, duke dhënë një mesazh të heshtur, por shumë të qartë.
Një tjetër fytyrë e internetit: doxxing dhe teknologji të rrezikshme
Kjo histori tregoi fuqinë dhe rrezikun e praktikës së quajtur doxxing: gjetja dhe publikimi i të dhënave private të dikujt pa lejen e tij. Në këtë rast, mjaftoi një video dhe ndihma e disa mjeteve online për të “demaskuar” çiftin.
Një nga mjetet që dyshohet se është përdorur është PimEyes një program i njohur për kërkimin e fytyrave që mund të gjejë përputhje me një foto të vetme. Ky lloj softueri është i diskutueshëm sepse i lejon kujtdo të gjurmojë imazhe dhe identitete me një saktësi befasuese.
Teknologji të tilla, siç thekson Corriere della Sera, kanë potencialin për t’u keqpërdorur. Në një rast të ngjashëm, studentë të Harvardit demonstruan se mund ta lidhin PimEyes me syze të zgjuara për të njohur dhe identifikuar njerëz në kohë reale në rrugë. Një alarm serioz për privatësinë, pavarësisht përpjekjeve të Big Tech për të kufizuar përdorime të tilla: Google Lens, Gemini dhe madje edhe ChatGPT nuk lejojnë identifikimin e fytyrave të njerëzve jo publikë nga foto të rastësishme.
Mësimi nga kjo histori
Edhe pse gjigantët e teknologjisë vendosin barriera për të ruajtur privatësinë, realiteti është se mjafton një foto, pak kuriozitet dhe disa mjete online që të zbulosh gjithçka për këdo. Çifti i kapur në koncertin e Coldplay tani e di këtë më mirë se kushdo tjetër.
Çifti tradhtar i kapur nga kiss cam në koncertin e Coldplay bëhen rast global: Sa pak mjafton sot për të zbuluar gjithçka për dy të panjohur / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.