Bedrie Berisha Rexhepi, përfaqësuesja e autorizuar e ish-banorit të Big Brother, Drilon Ramës, përmes një postimi në facebook ka reaguar në lidhje me lajmet e publikuara ku thuhet se “Xheneta fiton betejën – merret vendimi për bisedat me Drilonin”.

Sipas Rexhepit, artikulli përmban “të pavërteta serioze” dhe një “interpretim krejtësisht të pasaktë” të vendimit të nxjerrë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Ajo thekson se ky vendim nuk përbën aspak fitore për Xheneta Fetahun, siç pretendohet por përkundrazi e përcakton atë si kontrolluese të të dhënave personale, të cilat ajo i ka incizuar vetë dhe ka kërcënuar publikisht se do t’i publikojë.

“Ky vendim, në asnjë mënyrë, nuk përbën “fitore” për znj. Xheneta Fetahu. Përkundrazi, ai e përcakton atë si kontrolluese të të dhënave personale që ajo vetë ka pranuar se i ka incizuar dhe ka kërcënuar publikisht me publikimin e tyre – veprime që përbëjnë cenim të rëndë të integritetit personal dhe të privatësisë së z. Drilon Rama. Vendimi nënvizon gjithashtu se znj. Fetahu është informuar për bazën ligjore të nevojshme për publikimin e çfarëdo materiali, të cilën ajo nuk e ka paraqitur, si dhe për pasojat ligjore që mund të pasojnë në rast publikimi të bisedave.

Në asnjë pjesë të këtij vendimi nuk konstatohet se znj. Fetahu ka vepruar në përputhje me ligjin. Përkundrazi, fakti që ajo trajtohet si kontrolluese e të dhënave përforcon dyshimet mbi keqpërdorimin dhe kërcënimin e mundshëm për publikim të këtyre të dhënave”, ka shkruar Rexhepi.

Rexhepi, ka bërë apel që të largohet lajmi, ku sipas saj ky lajm është i pabazuar, tendencioz dhe manipulues, duke shkelur standardet etike të gazetarisë profesionale.

“Titulli dhe përmbajtja e artikullit të publikuar nga “Prive” janë të pabazuara, tendencioze dhe manipulues, duke shkelur standardet etike të gazetarisë profesionale. I bëjmë thirrje publike redaksisë së “Prive” që të tërheqë menjëherë artikullin dhe të publikojë përgënjeshtrimin zyrtar në të njëjtin format dhe hapësirë”, ka shkruar tutje ajo.

Ndërsa ka bërë të ditur se Driloni është i vendosur të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij të privatësisë dhe dinjitetit, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin përkatës.

Avokatja e Drilon Ramës, Bedrie Berisha Rexhepi: Vendimi i AIP-it nuk është fitore për Xhenetën / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version