Komentimi mbi peshën e dikujt, mund të duket për dikë si një motiv për t’u dobësuar, por në fakt provohet se jep një efekt të kundërt.

Kështu tregon një studim i publikuar në revistën Health Psychology dhe i realizuar nga University of Utah Health. Ky studim, u përqendrua tek personat që kishin kryer kirurgji bariatrike.

Sipas hulumtumit, vazhdimi i përjetimit të stigmës mbi peshën, rriste rrezikun për depression, ankth, çrregullime e të ngrënit, si dhe ngrënie kompulsive.

Stigma mbi personat mbipeshë ose obezë shpesh mbështetet tek ideja e gabuar se pesha varet vetëm nga kontrolli individual. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë e njeh obezitetin si një sëmundje me kontribut të madh gjenetik, që shkon nga 40 deri në 70%. Studiuesit vunë re se përjetimi i gjykimit negativ ndikonte edhe në uljen e motivimit për aktivitet fizik. Ky stres shkakton rritjen e nivelit të kortizolit, hormon që stimulon dëshirën për ushqime të pasura me sheqer, kripë e yndyrë.

Një mekanizëm i ngjashëm është vërejtur edhe tek fëmijët dhe adoleshentët. Një studim i botuar në Pediatric Obesity, i kryer nga Uniformed Services University of the Health Sciences në Bethesda dhe National Institutes of Health, tregoi se të rinjtë e stigmatizuar për peshën kishin një rritje më të madhe të indeksit të masës trupore (BMI) krahasuar me bashkëmoshatarët që nuk ishin ‘objekt’ talljesh.

Sipas nutricionistit dhe psikiatrit Stefano Erzegovesi, gjykimi negativ “nuk prodhon kurrë një ndryshim pozitiv”. Përkundrazi, krijon ndjenjë turpi dhe rebelimi, duke shtyrë personin të hajë më shumë. “Vlerësimi i trupit bazuar tek mendimi i të tjerëve është e kundërta e asaj që nevojitet për të dëgjuar ndjesitë e brendshme të urisë dhe ngopjes,” shton ai.

Eksperti thekson se gjykimi mbi trupin mund të ketë tre efekte: më i miri është të mos ketë asnjë efekt; më i keqi është të shkaktojë mortifikim dhe përkeqësim të sjelljes dhe më i rrezikshmi është të funksionojë vetëm tek personat me prirje perfeksioniste, duke rritur rrezikun e çrregullimeve të të ngrënit.

Mendoni se komentet negative mbi peshën nxit dobësimin? Ja çfarë provon studimi / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version