minibus hire Leeds cheap diesel near me uk web hosting online local minibus hire Mot History Check struga Lajm MOT check cloud hosting mortgage calculator online store Local minibus Hire Cheap Fuel Prices
Deepfake dhe rreziku nga masivizimi i video mashtrimeve - Shqiperia.info

Para rreth 6 vjetësh, shkruaja për një ‘virus’ të ri për gazetarinë. Pavarësisht se kanë kaluar disa vite, ende nuk ekziston ‘anti-virusi’, ndërkohë që deepfake ka avancuar, është përsosur dhe hapi i fundit është thjeshtësimi i procesit të prodhimit të këtyre video mashtrimeve. Deri tash, në diskutimet për deepfake, një vend të rëndësishëm e zinte nevoja për aftësi të caktuara në përdorim të programeve specifike për të prodhuar deepfake. Zhvillimi i aplikacioneve të reja, të bazuara në inteligjencën artificiale, por më lehtë të përdorshme, po çon në masivizim të prodhimit të deepfake.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë kishte cheapfakes se sa deepfakes dhe arsyeja kryesore ishte në faktin se cheapfakes prodhoheshin lehtë dhe mund t’i bënte secili. Tashmë që kjo po bëhet e mundshme edhe për deepfake, pra, lehtë për t’u prodhuar, nuk duhet shumë persiatje e kalkulime për të thënë se në procese të rëndësishme shoqërore, zgjedhje apo…, deepfake do të jetë rreziku kryesor në botën e informacionit, meqë po bëhet manipulim më lehtë i realizueshëm, në kuptimin teknologjik.

Deepfake është një përmbajtje e rreme vizive, e bazuar në inteligjencë artificiale dhe ku mund të paraqitet një person i vërtetë duke thënë ose duke bërë diçka që ai nuk e ka bërë asnjëherë. Në këto vite të ekzistencës së deepfake, ka të tilla të prodhuara për argëtim, të tjera që janë për ndërgjegjësim, por janë edhe rastet kur është synuar manipulimi i shoqërisë nëpërmjet deepfake për motive politike, ekonomike e kështu me radhë.

Deepfake po bëhet çdo herë më e lehtë të prodhohet, çka e bën emergjente ndërgjegjësimin e shoqërisë për këtë fenomen. Shembujt e fundit në rajon, me videon erotike të një vajze, por që me përdorimin e inteligjencës artificiale i ishte vendosur fytyra e moderatores, Luana Vjollca, apo edhe vetë videoja e publikuar nga gazetari, Blendi Fevziu, janë shembujt që tregojnë se, tashmë, të prodhosh një deepfake është shumë më e lehtë se sa para pak vitesh. Nëse zgjerohet thjerrëza e analizës përtej rajonit, atëherë një deepfake viral ishte ai i modeles së famshme, Belle Hadid, ku ajo paraqitej si mbështetëse e veprimeve të Izraelit në luftën ndaj Hamas-it, që ajo s’e kishte thënë.

Deepfake i Hadid kishte mbi 28 milionë shikime në X (ish-Twitter). Zhvillimi i teknologjisë dhe i programeve lehtë të përdorshme të bazuara në inteligjencën artificiale, po krijon një tjetër rrezik për të vërtetën. Tashmë, e vërteta është buzë ‘vdekjes’, sepse me rritjen e deepfake në qarkullim, do të jetë gjithmonë e më e vështirë të kuptohet cila është e vërteta. Duke marrë parasysh krizën e besueshmërisë ndaj mediave, gazetaria do të sfidohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt. Mirëpo, e gjithë kjo mund të luftohet më së miri me gazetari profesionale, me gazetari që i përmbahet standardeve profesionale dhe vë në rend të parë, interesin publik.

Përndryshe, gazetaria sensacionale dhe e dhënë pas klikimeve vetëm do të ushqejë edhe më shumë mosbesimin ndaj mediave dhe do të shtyjë qytetarët të ndjehen të pasigurt me informacionet që i marrin në media, duke krijuar hapësirë edhe për aktorë të tjerë në ambientin informativ. Në këtë situatë gjithmonë përfitojnë ata që u pëlqen të funksionojnë në mjegull, të përfitojnë me qasje makiaveliste, pa menduar për dëmin që i shkaktohet shoqërisë.

Masivizimi i deepfake si rezultat i zhvillimit të programimit me bazë inteligjencën artificiale hap një kapitull të ri në informim, qoftë për dërguesin, apo pranuesin e informacionit. Ndaj këtij zhvillimi të hovshëm e shumë të rëndësishëm, duhet të bëhen përpjekje që edhe mënyra e verifikimit të jetë një proces më i thjeshtë dhe më i shpejt seç është aktualisht. Aktualisht janë disa programe që ndihmojnë në zbulimin e këtij fenomeni që të bën të jetosh në realitet të rremë, siç janë FakeCatcher e Sentinel, por ende nuk ka të tillë që janë në dispozicion për përdorim nga të gjithë, e pa pagesë.

Gjithashtu, është me rëndësi që metodat e detektimit të avancohen, në mënyrë që të mbajnë hapin me progresin e deepfakes, sepse teknologjia që po lehtëson prodhimin e deepfakes po zhvillohet me hapa të shpejt. Aktualisht, këto platforma nuk detektojnë manipulimet në audio, një element i rëndësishëm në manipulimet audiovizive sepse tashmë janë disa raste kur pamja është reale, ndërkaq, zëri është i gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Mjetet për zbulimin e deepfakes janë të rëndësishme, por gjithashtu duhet angazhim i madh në shoqëri për të ndërgjegjësuar e vetëdijesuar shoqërinë për ekzistencën dhe implikimet e deepfakes në jetën e përditshme.

Njohuritë për deepfakes dhe ndërgjegjësimi për këtë fenomen ndihmon shoqëritë të jetë më kritike ndaj çfarëdo video që i ekspozohet.

Deepfake dhe rreziku nga masivizimi i video mashtrimeve / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version