VLEN dhe AKI edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale.
Përfaqësuesit e VLEN-it sot kanë mbajtur tubim në Komunën e Zhelinës, ku kanë përkrahur kandidatin e tyre Blerim Sejdiu. Ky i fundit.
“Motoja jonë ka qenë “punë dhe jo fjalë”. Kemi dashur që para popullit të paraqitemi me punë dhe vetëm me vepra konkrete. E kam ditur se një ditë do të dal para jush dhe do të vijë momenti të japim llogari para juve, pasi ju jeni arsyeja pse ne punojmë. Punuam pa ndalur duke mos e harruar amanetin që na e dhatë ju”, tha Sejdiu.
Ndërsa pas tubimit, kryetari i Tetovës tha se Zhelina ka përparuar si kurrë më parë dhe se është koha ta vazhdohet kjo rrugë suksesi në çdo komunë.
“Sonte Zhelina foli me zë të fuqishëm! Mijëra qytetarë dolën për të dëshmuar se besimi ndaj nesh është më i madh se kurrë. Ky entuziazëm është dëshmi e qartë se njerëzit e njohin të vërtetin, atë që punon me përkushtim, transparencë dhe dashuri për vendin. Blerim Sejdiu është shembulli më i mirë se ne nuk qeverisim si të tjerët. Në dy mandatet e tij, Zhelina ka përparuar si kurrë më parë dhe tani është koha ta vazhdojmë këtë rrugë suksesi në çdo komunë. Energjia që e ndjejmë në çdo tubim, tregon se VLEN-i është shpresa e re e shqiptarëve. Me vepra të dukshme dhe me besë ndaj fjalës së dhënë, po ua kthejmë besimin qytetarëve se politika mund të jetë në shërbim të tyre”, shkroi Kasami pas tubimit.
Ndërsa kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Tetovën, Bajram Rexhepi, zhvilloi sonte takim me qytetarët në lagjen Migjeni.
Në rrjetet sociale ai shkruan se në “një atmosferë të mbushur me optimizëm dhe mobilizim, në Migjen është vendosur simbolikisht “vula e fitores””.
“Energji, entuziazëm dhe besim që ndihen në çdo fytyrë. Nga zemra e Tetovës po vjen e ardhmja dhe shpresa e qytetit”, deklaroi Rexhepi.
Ai falënderoi të gjithë përkrahësit për mbështetjen e fuqishme dhe u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me këtë frymë të bashkimit dhe vendosmërisë deri në ditën e votimit.
Kandidati i AKI-së për Çairin, sot e prezantoi vizionin e tij për restaurimin e Çarshisë së Vjetër.
“Qëllimi ynë është t’ia kthejmë autentikën, t’ia rikthejmë imazhin. Duhet t’ia rikthejmë fytyrën e vërtetë Çarshisë, historinë dhe shpirtin e saj”, deklaroi Osmani, duke theksuar se Çarshia është pasuria urbane dhe kulturore më e madhe e qytetit dhe simbol i identitetit të Shkupit.
Ai theksoi se gjendja e sotme e Çarshisë është shumë larg potencialit dhe vlerës që ajo meriton.
“Sot, Çarshia nuk është ajo që duhet të jetë. E ka humbur imazhin e saj, karakterin autentik dhe historik. Është e ndotur, hyrjet janë të bllokuara, vrimat nëpër rrugica janë të rrezikshme për këmbësorët dhe turistët”, tha Osmani, duke shtuar se kjo pamje nuk i ka hije Çarshisë më të madhe dhe më të bukur në Ballkan./Telegrafi/