Koalicioni VLEN ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet fyese ndaj shqiptarëve, të dëgjuara gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës në Basketboll 2027, mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

“Ajo që pamë dhe dëgjuam në palestrën sportive ishte një pasqyrë shqetësuese e një sjelljeje të papranueshme që nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve të këtij vendi, por që nuk duhet as të injorohet, as të tolerohet. Sporti duhet të jetë urë lidhëse mes njerëzve, vend i garës së ndershme dhe i respektit të ndërsjellë, dhe jo platformë për përhapjen e urrejtjes apo përçarjes”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

VLEN ka bërë thirrje që institucionet kompetente të reagojnë.

“VLEN u bën thirrje institucioneve kompetente, federatave sportive dhe organeve shtetërore që të veprojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masa konkrete ndaj çdo akti që cenon bashkëjetesën dhe multietnicitetin. VLEN do të vazhdojë të punojë kundër çdo forme diskriminimi dhe do të angazhohet për një shtet ku çdo qytetar, pa dallim etnie, feje, të ndihet i barabartë, i respektuar dhe i mbrojtur”.

Kujtojmë se derisa tifozët maqedonsit brohorisnin kundër shqiptarëve, i pranishëm ishte kryeministri Mickoski, ministrat Stoilkoviq dhe Toshkovski, si dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

VLEN: Thirrjet drejt urrejtjes nuk duhet as të injorohen e as të lejohen, institucionet të veprojnë për rastin në Kumanovë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version