Pas protestës së studentëve në Maqedoninë e Veriut për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet e vendit, si dhe dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Besar Durmishi nga VLEN deklaroi se kërkesa e studentëve është pranuar dhe se institucionet po punojnë për zgjidhjen e problemit.
Sipas Durmishit, çështja e mosdhënies së provimit në gjuhën shqipe ka mbetur e pazgjidhur prej vitesh, ndërsa ai akuzoi ish-pushtetin e Ali Ahmetit dhe BDI-së për neglizhencë ndaj këtij problemi.
“Studentët sot protestuan kundër një padrejtësie ndaj tyre nga koha e BDI-së”, tha Durmishi, duke shtuar se protesta është “e drejtë demokratike”, por sipas tij, po tentohet të shfrytëzohet për qëllime politike.
Ai bëri të ditur se gjatë ditës është zhvilluar një takim mes kryeministrit dhe drejtuesve të VLEN-it, ku është diskutuar për kërkesat e studentëve. “Provimet shumë shpejt do të jenë edhe në shqip”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, Durmishi kritikoi edhe paraqitjen e ish-zyrtarëve të BDI-së në protestë, duke thënë se ata “përpiqen ta ndezin këtë temë”, ndonëse sipas tij kanë pasur mundësi ta zgjidhin gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet.
Në fund, ai u bëri thirrje studentëve të kenë besim se procesi tashmë ka nisur dhe të mos bien “pre e manipulimeve politike”.

