VLEN ka reaguar ndaj kërkesës së BDI-së, të cilët kërkuan që Izet Mexhiti të jep dorëheqje, duke thënë se kryeministri Hristijan Mickoski e mban në kontroll me një dosje prej 320 faqe. Nga VLEN thonë se “derisa institucionet më në fund po e zbërthejnë nyjën kriminale shumëvjeçare, kjo parti po i kthehet konfigurimit të saj të vetëm të fabrikuar, përhapjes së lajmeve të rreme dhe shtirjes si viktimë politike”.
“Por qytetarët nuk i blejnë më skenarët e tyre të lira; koha kur krimi fshihej pas flamurit kombëtar ka përfunduar përgjithmonë. Ali Ahmeti dhe “garda e tij e parë” janë të fundit që mund të flasin për nder dhe interesa kombëtare. Opinioni e di mirë, dhe arkivat e vërtetojnë: BDI ishin dhe mbetën shërbëtorët më besnikë të Sasho Mijallkovit, me të cilin në rrethe të ngushta i kanë marrë vesh punët e dyshimta që i pasuruan familjet e tyre dhe i varfëruan shqiptarët”.
“Është qesharake dhe tragjike kur për moral flet Bujar Osmani, i vetmi shqiptar për të cilin Prokuroria Speciale Publike (PSP) me prova ka pretenduar se është i përfshirë në krim të rëndë. Osmani nuk është kurrfarë politikani evropian, por një profiter i zakonshëm politik, i cili në vend që të mbajë ligjërata në media, duhej prej kohësh të jepte llogari para organeve hetuese për shkeljet e tij”, thonë nga VLEN.
Nga VLEN gjithashtu thonë se sulmet e tyre të orkestruara kundër Izet Mexhitit janë një projeksion klasik i frikës së tyre.
“Ndërsa BDI shpik “dosje” fiktive, realiteti i demanton me fakte: pikërisht kuadrot e tyre këto ditë po përballen me ekspozim publik dhe kallëzime penale për abuzime që peshojnë mbi 700.000 euro. BDI sot funksionon si një zyrë avokatie e nëntokës, ku për Ahmetin shqiptari i zakonshëm është vetëm një numër votimi, ndërsa milionat e funksionarëve të tij janë mburoja për mbrojtjen e kapitalit të tij personal”.
“VLEN nuk do të lejojë që korrupsioni të maskohet me parulla patriotike. Koha e pandëshkueshmërisë për “të paprekshmit” e Reçicës ka përfunduar. Çdo denar i vjedhur nga xhepi i qytetarëve dhe nga xhepi i popullit shqiptar do të kthehet, ndërsa paniku i Ahmetit, Osmanit dhe Bexhetit është vetëm dëshmia më e sigurt se drejtësia më në fund ka trokitur në derën e tyre.Ne vazhdojmë me rendin dhe ligjin, ndërsa ata i lëmë të mbyten në gënjeshtrat e tyre”, thonë nga VLEN.

