
Koalicioni VLEN garanton ish-ushtarët e UÇK-së se nuk do të arrestohen mbi bazën e fletëarresteve të Serbisë, në rast të pjesëmarrjes së tyre në protestën e së shtunës në Shkup, në mbështetje të krerëve të UÇK-së që gjykohen në Hagë.
“Ashtu si edhe në të kaluarën, kur qeveria jonë nuk ka lejuar që të nëpërkëmben ish ushtarët e UÇK-së, ne mbetemi të përkushtuar në këtë, gjithsesi duke shpresuar se organizatorët e kësaj proteste, partia e dëshpëruar opozitare BDI dhe lideri i saj i mërzitur nga humbja, të mos e shfrytëzojnë emocionin e popullit për lavdinë e UÇK-së për ta kthyer këtë protestë në incident, që ata e dëshirojnë si mundësi e fundit për të shpresuar kthim në pushtet. Ministria e Punëve të Brendshme do të marrë të gjitha masat që kjo protestë të kalojë në mënyrë të qetë”, njoftojnë nga VLEN.
Shqetësimet për arrestime të mundshme të ish ushtarëve të UÇK-së mbi bazën e fletëarresteve të Serbisë janë adresuar pas rastit të fundit me Blerim Ramadanin në korrik të vitit 2024. Ramadani, asokohe ishte arrestuar nën dyshimet e Serbisë se në cilësinë e ish-ushtarit të UÇK-së ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes në vitin 1999. Ai menjëherë u dërgua në paraburgim ekstradues, ndërsa pas dy javësh, respektivisht më 1 gusht, gjykata ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpie në një adresë në Shkup. Vendimin Prokuroria e ankimoi, ndërsa Këshilli Penal e pranoi ankesën dhe e riktheu masën e paraburgimit për Ramadanin.
Por, në po të njëjtën datë Ramadani ishte arratisur. Raste të këtilla kishin ndodhur edhe më herët, kur mbi bazën e fletëarresteve të Serbisë ishin arrestuar Gafurr Dugolli dhe Tomorr Morina, por më pas, me vendim të gjykatës ishin liruar.
Për shkak të rastit të Ramadanit, Izet Mexhiti, derisa mbante pozitën e zëvendëskryeministrit të parë kishte garantuar se është arritur marrëveshje politike në Qeveri që të mos ndalohen nëpër kufijtë e Maqedonisë së Veriut ish ushtarët e UÇK-së lidhur me çështjet që i ngre Serbia.
“Kemi ra dakord në Qeveri, kemi marrëveshje politike që kjo të zgjidhet në mënyrë sistemore me modelin kroat, slloven dhe modelet evropiane dhe kjo do të jetë së shpejti. Po shohim vetëm cilin model do ta aplikojmë dhe kjo do të jetë zgjidhe sistemore, ligjore dhe e përhershme që ushtarët të lëvizin lirshëm në Maqedoni siç lëvizin në vendet evropiane”, deklaroi kohë më parë Izet Mexhiti, VLEN.
Protestën e organizuar nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së së Kosovës me mbështetje të BDI-së, nuk e mbështet koalicioni VLEN. Sipas VLEN-it, BDI po keqpërdor protestën dhe kujtohet për UÇK-në vetëm tash kur është në opozitë, ndërsa në qeveri siç thonë miratonin ligje për branitellët.




