Koalicioni VLEN përmes një press konference ka reaguar ndaj temës aktuale për regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, informon Telegrafi Maqedoni.

Ata akuzojnë ish-qeverisjen LSDM-BDI, duke shtuar se me urdhëra të asaj qeveria Enti Shtetëror i Statistikave ka manipuluar duke i ndarë shqiptarët në rezidentë dhe jorezidentë.

Reagimi i plotë:

Jemi mbledhur sot për të hedhur dritë mbi një nga padrejtësitë më të mëdha institucionale që i është bërë ndonjëherë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut: regjistrimi i popullsisë i vitit 2021. Ky nuk ishte një proces statistikor. Ky ishte projekt politik, i ideuar për të zvogëluar shqiptarët në letra, për t’i fshirë nga statistikat, për t’i nxjerrë jashtë vendimmarrjes.
Me firmën e BDI-së dhe me zbatimin teknik të LSDM-së, Enti Shtetëror i Statistikave u shndërrua në instrument të manipulimit, duke ndarë shqiptarët në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, një ndarje e paimagjinueshme, që kishte vetëm një synim: të përjashtojë nga llogaritja mijëra shqiptarë të diasporës. Diaspora jonë, që e ka mbajtur në këmbë ekonominë e këtij vendi për dekada, u trajtua si e padukshme, si statistikisht e pavlefshme, si problem për t’u shmangur.
Por pse? Sepse diaspora nuk mund të kontrollohej nga BDI-ja. Nuk mund të frikësohej, nuk mund të blinte vota, nuk mund të manipulohej. Kështu lindi mashtrimi më i madh i regjistrimit: etiketimi i qëllimshëm si “jorezidentë”. Kjo nuk ishte gabim, ishte kalkulim cinik tribal: Sa më pak shqiptarë në numra, aq më pak rrezik për pushtetin tonë.
Pyesim publikisht: Si është e mundur që në Reçicë të Vogël regjistrimi të numërojë vetëm 1.653 shqiptarë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e fundit të dalin mbi 2.400 vota vetëm për partitë shqiptare?

Pyesim:
Si është e mundur që në fsh. Zhelinë të ketë 3432 banorë e 4103 votues? Si është e mundur që në fsh.Strimnic të ketë 1937 banorë të regjistruar e 2644 votues? Dhe kjo gjendje vazhdon edhe ne shume fshatra tjerë? A ka përdorur BDI lista të fryra për të mbushur kutitë? Apo ka shpërngulur njerëzit në “botën e statistikave të fshehta”? Dhe si në çdo skemë mashtrimi, në fund u shtua edhe “qershia mbi tortë”: një kategori fantazmë, “persona për të cilët të dhënat janë marrë nga burime administrative”. Kjo kategori nuk ekziston në asnjë ligj, por prodhoi mbi 132.000 banorë të panjohur, shumica maqedonas, ndërsa shqiptarët e vërtetë, ata të diasporës, u zhdukën qëllimisht nga numrat.
Dhe më në fund, Gjykata Kushtetuese, para dy ditësh, e rrëzoi këtë mashtrim të ligjshëm, duke shpallur antikushtetues ndarjen “rezident/jorezident”. Kjo është fitore e së vërtetës, dhe dënim moral për tradhtarët e interesit kombëtar”.

Nga VLEN shtojnë se janë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke potencuar se edhe mërgimatarët janë rezidentë.

VLEN: Me ndikimin e LSDM-së dhe BDI-së, Enti Shtetëror i Statistikave manipuloi duke i ndarë shqiptarët në rezidentë dhe jorezidentë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version