Zëdhënësi i VLEN Driton Sulejmani, në konferencë për shtyp foli sërish për çështjen e regjistrimit, i cili është akualizuar sërish ditëve të fundit, pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Entit Shtetëtor për Statistika, që popullsia të ndahet si rezidente dhe jorezidente.
Sulejmani tha se për më shumë se 20 vite në pushtet, BDI me politikat e saja destruktive nuk solli zhvillim, por boshatisje.
“Jo vetëm që i shtyu qindra mijëra shqiptarë drejt mërgimit, por me regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, i fshiu edhe ata që mbetën. Regjistrimi u kthye në mjet për të minuar realitetin e shqiptarëve në vend, ndërsa drejtuesit e BDI-së zgjodhën të heshtin, si gjithmonë, përballë një krimi të ri politik. Por heshtja nuk mjafton për të ikur nga përgjegjësia. Populli shqiptar pret përgjigje: pse u pranua që mërgata shqiptare të trajtohet si “jorezidente”, kur ajo mban gjallë ekonominë dhe mbështet familjet me sakrificë të përditshme?”.
“Ashtu siç premtuam, koalicioni VLEN çdo ditë do ta zbardhë të vërtetën e dhimbshme të një procesi që duhej të ishte pasqyrë e realitetit, ndërsa u shndërrua në një mashtrim dhe tradhti poshtëruese e BDI-së ndaj shqiptarëve. Shembujt e radhës së manipulimit janë të qarta dhe të dokumentuara, e sidomos në rrethin e Strugës: Në fshatin Ladorisht, janë regjistruar vetëm 1.344 banorë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2024 kanë votuar 2.397 qytetarë, apo mbi 1.000 më shumë. Në Veleshtë, janë regjistruar 2.196 banorë, por votuan 2.377, apo rreth 200 më shumë. Në Livadhi, sërish rezulton më shumë votues sesa banorë të regjistruar”.
“A me këso veprime synuat zbehjen e prezencës shqiptare në vend? Tani shtrohen pyetjet tjera që BDI nuk guxon t’i shmanget assesi: Pse u nënshkrua një metodologji që ul numrin e shqiptarëve në vend? Pse nuk u mbrojt kontributi i diasporës në jetën e këtij shteti? Pse pranuat të ndahen shqiptarët jashtë vendit nga pjesa tjetër e kombit?”, tha ai./Telegrafi/
VLEN: Fshirja e mërgatës nga regjistrimi është tradhti e rëndë, BDI nuk mund të fshihet pas heshtjes appeared first on Telegrafi.