Koalicioni VLEN përmes një komunikate e ka quajtur moment historik arritjen e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve për tregti të lirë.
“Orientimi ynë është i qartë dhe i palëkundur: krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një ekonomi moderne, të hapur dhe konkurruese, për një shtet të fortë dhe të besueshëm në skenën ndërkombëtare. Marrëveshja e arritur ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut për tregti reciproke dhe bashkëpunim energjetik është një hap historik që forcon partneritetin tonë strategjik dhe hap horizonte të reja për zhvillimin ekonomik. Eliminimi i tarifave doganore për mallrat amerikane në tregun tonë është një sinjal i fuqishëm për hapje, konkurrencë dhe integrim më të thellë në tregjet globale”, thonë nga VLEN.
Ata thonë se ky është vizioni i qeverisë së udhëhequr nga VLEN: një ekonomi e hapur që krijon kushte për rritje të qëndrueshme, përmirësim të standardeve dhe nxitje të investimeve të huaja.
“Me këtë marrëveshje, ne jo vetëm që fuqizojmë klimën e biznesit dhe rrisim konkurrueshmërinë e ekonomisë, por edhe krijojmë perspektivë më të madhe për punësim dhe zhvillim. Kjo marrëveshje është një sinjal i qartë për thellimin e partneritetit strategjik dhe një konfirmim i mbështetjes së fortë që Maqedonia e Veriut gëzon nga SHBA. Ajo trasojnë rrugën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sigurojë tarifa jo më të larta se 15%, ndërsa për disa produkte dhe industri deri në 0%, duke hapur mundësi të reja për eksport, investime dhe rritje ekonomike. Kjo arritje është dëshmi e qartë se politika jonë është politikë e rezultateve konkrete. Çdo hap që ndërmarrim është i menduar, i bazuar në vizion afatgjatë dhe i mbështetur nga aleatët tanë strategjikë. Me SHBA-në si partner të besueshëm, Maqedonia e Veriut po ndërton një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”, thonë nga VLEN.
