Vijojnë hetimet për gjykatësin Gjoko Ristov i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie për shkak dyshimeve për kryerje të veprave penale “Përfitim të paligjshëm dhe fshehje të pasurisë” si dhe “Pastrim parash”.

Organi i akuzës për Alsat thekson se ka siguruar prova rreth origjinës së 350 mijë eurove të cilat u gjetën të fshehura në një bunker special, në shtëpinë e prindërve të gjykatësit.

“Veprimet hetuese janë në fazë të avancuar. Paralelisht kryhen hetim i detajuar financiar lidhur me pronën e të dyshuarit. Për momentin, Prokuroria disponon me prova që japin dyshim të bazuar për origjinën e parave të gjetura. Mbrojtja deri në këtë moment nuk ka pasur qasje në ato prova materiale, që të tentojë ta kontestojë”, thanë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.

Mbrojtja ka mohuar që paratë e gjetura të jenë të Ristovit, madje prindërit kanë deklaruar se paratë i kanë përfituar nga kultivimi i rrushit. Një version tjetër i cili qarkullonte nëpërmjet avokatit të Ristovit ishte se paratë janë nga shitja e një toke, për çka posedojnë dokumentacion.

Ristov, ra në rrjetin e Prokurorisë pasi paraprakisht avokati Fehmi Stafa u arrestua duke marrë ryshfet për të liruar nga paraburgimi një të kërkuari nga drejtësia. Sipas Prokurorisë, Stafa kishte kërkuar 100 mijë euro, por kishte marrë 50.000 mijë, për ta korruptuar gjykatësin Gjoko Ristov. Kjo ka mjaftuar që organet hetuese t’i vihen pas Ristovit, i cili nga ana tjetër, pasi ka nuhatur situatën ka ndaluar ta përdor telefonin celular dhe ka marrë pushim mjekësor.

Ndërkohë Biografia e Ristovit si gjykatës, ka disa raste kundërthënëse, e më së shumti mbahet mend për ndikimin e tij që ish Shefi i Policisë Sekrete Sasho Mijallkov, të shpëtojë nga burgu për skandalin e përgjimeve të paligjshme.

Share.
Exit mobile version