
Mbrojtja e ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë Nikolla Vasev, i cili së bashku me tre onkologë të tjerë akuzohet për mjekim të pandërgjegjshëm të pacientëve, sot para Gjykatës Themelore Penale në Shkup tha se kundër Vasevit po zhvillohet “një lloj komploti” dhe se ata do t’i kundërshtojnë plotësisht dhe do t’i hedhin poshtë provat e Prokurorisë përmes provave të bazuara mirë dhe të forta, duke përfshirë mendimet e ekspertëve dhe marrjen në pyetje me gojë të mjekëve Davorin Milosavljeviç nga Beogradi dhe Maja Radnik, nga Maribori të cilët i përgatitën mendimet e ekspertëve të Prokurorisë.
Si dëshmi verbale, avokati i Vasevit tha se, propozojnë marrje në pyetje të ekspertëve nga Sllovenia dhe Serbia të cilët e përgatitën ekspertizën për Prokurorinë në lëndë, duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës për refuzimin e kërkesës për refuzimin e tij si të mbledhura në mënyrë të jashtëligjshme.
“Kemi një qëllim të qartë të vërtetojmë se i akuzuari Nikolla Vasev e ka kryer profesionalisht dhe ligjërisht profesionin dhe detyrat e tij të punës në Klinikën e Onkologjisë. Duke i marrë në pyetje këta individë, tregojmë një qëllim të qartë se qëllimi ynë nuk është të shqetësojmë publikun në vendin tonë dhe kështu të ndërtojmë mbrojtjen, por që dëshmitarët të tregojnë punën e Klinikës, përkatësisht ekzistencën dhe respektimin e protokolleve në Klinikë, si dhe kryerjen e duhur të detyrave nga ana e të akuzuarit “, deklaroi avokati i Vasevit.
Vasevi, i cili para Gjykatës Themelore Penale Shkup tha se nuk ndjehet fajtor, reagoi edhe se “është lejuar në procedurë ekspert të cilin unë e kam ndërruar nga drejtori i Klinikës kur jam bërë drejtor në vitin 2017”.
“Pse nuk mbulohen gjashtë muajt e parë të mandatit tim… shumë thjesht sepse kam trashëguar një borxh prej 1,7 milion eurosh dhe në fund të vitit përfunduam me një borxh prej 30 mijë eurosh. Personi që ka bërë ato borxhe dhe ka bërë pagesa të kundërta për ilaçet që kam trashëguar nuk mund të jetë një ekspert në rastin tim, dhe unë e kam larguar nga pozicioni i drejtorit për punë joprofesionale”, deklaroi Vasevi.
Vasevi, para Gjykatës, tregoi gjithashtu se ka 35 vjet përvojë pune me 1 000 pacientë në vit, anëtarësim në të gjitha institucionet evropiane për zhvillimin e të gjitha atyre protokolleve për të cilat akuzohet, më shumë se dhjetë punime të autorizuara me faktorin më të lartë të ndikimit, i vetmi nga Maqedonia që ka një punim të autorizuar në Lanest, konkretisht mbi përdorimin e imunoterapisë,
Në gjykatë të pranishëm janë edhe tre të akuzuarit e tjerë, Meri Peshevska, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të gjithë punonjës në Klinikën për radioterapi dhe onkologjisë në Shkup.
Peshevska e pranoi fajin, përderisa Cërvenova dhe Jakimovski, thanë se absolutisht nuk ndjehen fajtorë dhe se për çdo pacient luftonin si për vete dhe këtë do ta dëshmojnë gjatë procedurës.
Në fillim, gjyqtarja Snezhana Markovska, informoi se ankesat e mbrojtjes ndaj raporteve të ekspertëve, të përgatitura në Slloveni dhe Serbi, refuzohen si të pabazuara.
“Nuk lejohet të ndahen raportet e ekspertëve nga dosjet e provave në lëndë. Duke marrë parasysh se kërkesat për ndihmë juridike ndërkombëtare janë paraqitur te autoritetet kompetente në përputhje me ligjet për ndihmën juridike ndërkombëtare, gjykata vlerëson se provat janë marrë në mënyrë të ligjshme”, deklaroi gjyqtarja Markovska.
Prokuroria i akuzon mjekët për vazhdimin e “krimeve të rënda kundër shëndetit të njeriut” dhe “trajtimit të pakujdesshëm”, me ç’rast 29 pacientëve u janë dhënë terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa një vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore.
Përveç kësaj, kundër Vasevit dhe ish-drejtorit ekonomik të Klinikës është ngritur akuzë tjetër për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2,2 miliardë denarë për buxhetin e shtetit.
Vasev: Eksperti në procedurë është ish-drejtor të cilin e ndërrova unë appeared first on Telegrafi.