Nën sloganin “Ushqim për shpirtin”, prej sot deri më 14 maj në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup do të mbahet edicioni i 37-të i Panairit të Librit. Është paralajmëruar pjesëmarrja e mbi 65 shtëpive botuese dhe më shumë se 110 promovimeve dhe takimeve me autorë.
Panairi do të hapë dyert për vizitorët sot në orën 10:00, ndërsa hapja zyrtare do të mbahet në orën 12 me fjalim nga ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Gjatë shtatë ditëve të panairit, ku do të ketë edhe prezantim nga Republika e Serbisë, vizitorët do të kenë mundësinë të zgjedhin libra nga oferta e pasur e autorëve vendas dhe të huaj, të marrin pjesë në promovime të veprave të reja dhe të takohen me botues.
Dashamirësit e letërsisë moderne, sivjet do të takohen edhe me shkrimtarin e njohur gjerman Sebastian Ficek, ndërsa për më të rinjtë do të organizohen punëtori edukative dhe krijuese, maskota dhe argëtim më 10 dhe 11 maj.
Panairi do të ofrojë më shumë se 110 promovime dhe takime me autorë, ndërsa pritet që numri i vizitorëve të kalojë 30.000, nga të cilët rreth 12.000 pritet të jenë studentë.
Dyert e Panairit do të jenë të hapura çdo ditë nga ora 10 deri në orën 20, ndërsa ditën e fundit deri në orën 18. Çmimet e biletave janë 100 denarë për biletë të rregullt, 50 denarë për nxënësit dhe 250 denarë për tre vizita. Hyrja është falas për fëmijët deri 12 vjeç në prani të prindërve. Me çdo biletë të blerë, 15 denarë do të dhurohen për Fshatin e Fëmijëve SOS.
Disa shtëpi botuese në vend kanë shpallur tashmë programin dhe ofertat e tyre për Panairin e librit të këtij viti.
Siç është paralajmëruar, për qasje më të lehtë për vizitorët në Panairin e 37-të ndërkombëtar të librit, nga sot deri më 14 maj në linjën e rregullt të transportit do të përfshihen dy linja të autobusëve “100” dhe “200”. I pari do të niset nga Lisiçe e Re, ndërsa tjetra nga Deksion.
“Ushqim për shpirtin”, hapet Panairi i Librit në Shkup appeared first on Telegrafi.