Transparenca mesatare aktive e ministrive, Qeverisë dhe komunave për vitin 2025 është 80 për qind (nga një maksimum prej 100 për qind), e njëjtë si me vitin e kaluar, tregon rangimi i rregullt vjetor i institucioneve sipas Indeksit të transparencës aktive të publikuar nga Qendra për komunikime qytetare.
Rangimi përfshin 102 institucione, përkatësisht Qeverinë dhe të gjitha ministritë dhe komunat. Indeksi, madje tregon se transparenca aktive e ministrive dhe Qeverisë është ulur në krahasim me vitin e kaluar dhe është 84 për qind, ndërsa vitin e kaluar ishte 86 për qind dhe se komunat kanë ruajtur të njëjtin nivel të transparencës aktive si vitin e kaluar, pra 79 për qind. Plot 44 për qind e institucioneve të përfshira e kanë përkeqësuar transparencën e tyre aktive (vitin e kaluar kjo ka qenë 19 për qind).
“Ministria e Mbrojtjes, për të pestin vit radhazi ruajti transparencën maksimale aktive prej 100 për qind, ndërsa rezultatin prej 100 për qind sivjet e mori Ministria e sapokrijuar e transformimit digjital. Te komunat, ndryshe nga viti i kaluar kur madje pesë komuna ndanin vendin e parë me 100 për qind transparencë aktive, këtë vit kemi vetëm dy komuna – Kavadari dhe Kërçova”, thuhet në kumtesën e Qendrës për komunikime qytetare.
Midis rajoneve, për të tretin vit radhazi në vendin e parë gjendet Rajoni lindor (me të njëjtën transparencë aktive si vitin e kaluar prej 88 për qind). Në vendin e fundit, me transparencë aktive të reduktuar krahasuar me vitin e kaluar është Rajoni i Pollogut (me 71 për qind transparencë aktive e cila vitin e kaluar ishte 73 për qind).
Më pak informacione, si ministritë ashtu edhe komunat publikojnë për financat (ministritë 58 për qind dhe komunat 59 për qind nga 100 përqind të e mundshme).
Një ngecje të madhe ka në përgjigjet ndaj kërkesave për qasje të lirë në informacionet me karakter publik të cilat u janë dërguar të gjitha institucioneve në të njëjtën ditë dhe me të njëjtën pyetje, thonë nga Qendra.
Komunat janë përgjigjur në mesatare për 21 ditë (vitin e kaluar për 15 ditë), derisa ministritë u përgjigjën për 23 ditë (vitin e kaluar për 14 ditë). Përndryshe, afati përfundimtar ligjor është 20 ditë.
Vetëm 54 për qind e institucioneve janë përgjigjur brenda afatit maksimal ligjor prej 20 ditësh (vitin e kaluar këtë e kanë bërë 71 për qind e institucioneve).