Lidhur me rastin e pacientit të ndjerë në Klinikën për Onkologji, Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për media thekson se pacienti ishte sjellë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me kancer në fazën e katërt, me metastazë në eshtra të konstatuar para një viti dhe për të cilën po merrte terapi.

Nga ministria thonë se nga ana e ekipit mjekësor menjëherë ishte iniciuar procedura për sigurimin e derivateve të gjakut.

“Për fat të keq, ndërkohë që kjo procedurë ishte në vijim, pacienti ndërroi jetë pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra. Gjithashtu, theksojmë se familja e pacientit ka refuzuar të bëhet autopsia. Pohimet për humbjen e historikut mjekësor të pacientit janë të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me trajtimin e tij. Ministria e Shëndetësisë bën apel drejtuar opinionit publik për respektimin e integritetit, dinjitetit dhe profesionalizmit të të gjithë mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë. Kërcënimet verbale apo fizike nuk duhet të jenë pjesë e një shoqërie që synon humanizëm dhe kujdes për shëndetin”.

“Puna e përditshme në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi, por edhe në institucionet e tjera shëndetësore, sjell sfida të mëdha dhe barrë emocionale. Ekipet mjekësore vazhdimisht përballen me gjendje të rënda dhe përfundime të pasigurta, duke dhënë përpjekje maksimale për shpëtimin e jetëve dhe ofrimin e kujdesit cilësor”, thonë nga MSH.

Ministria edhe një herë kujton se mjekët janë aleatë të pacientëve dhe familjeve të tyre. Vetëm përmes besimit të ndërsjellë, respektit dhe mbështetjes mund të ndërtojmë një sistem shëndetësor që ofron trajtim human dhe të sigurt për të gjithë.

Share.
Exit mobile version