Vonesa në ligjet reformuese në administratë dhe në sistemin e drejtësisë, konstaton kreu i Institutit për Demokraci “Societas Civilis” Marko Troshanovski dhe kërkon përshpejtim të disa procedurave. Ai thotë se, megjithatë, është fakt që vendi vlerësohet mirë sa i takon gatishmërisë për reforma.

“Ligjet në pjesën e administratës publike që janë shumë të rëndësishme vonohen, veçanërisht ligji për shërbimet e larta drejtuese i cili një kohë të gjatë zvarritet duhet të vendoset përsëri në agjendë dhe këtu Kuvendi mund të luaj një rol të madh. Pjesa më e madhe e reformave janë në gjyqësor dhe prokurori. Këtu kemi ngecje. Kemi aktivitete të shtuara nga ana e Ministrisë së Brendshme megjithatë finalizim të rasteve të korrupsionit të lartë për fat të keq akoma nuk kemi. Kemi të arratisur, siç e dini”, u shpreh Marko Troshanovski, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Këto reforma do të jenë të rëndësishme që vendi të mund të shfrytëzojë fondet nga plani i rritjes në katër vitet e ardhshme. Troshanovski thotë se institucionet duhen të kenë gati projekte në momentet kur Bashkimi Evropian do të lëshojë mjetet financiare.

“Të përgatiten institucionet para së gjithash me resurse njerëzore, t’i përgatisin mirë projektet në fazën e planifikimit dhe realizimit të tyre kur të jenë gati mjetet nga agjenda e reformave. Nuk kemi mjaftueshëm kuadër, kemi njerëz të përkushtuar në administratën publike megjithatë sfida ka sepse kemi edhe largime. Në këtë pjesë sigurisht se duhet të punohet përmes përmirësimit të kushteve të punës por edhe përmes tërheqjes së kuadrove më cilësor, marrje të përvojave të jashtme, trupa të veçantë që do të merren me përgatitjen, t’i përmirësojmë kapacitetet tona”, deklaroi Marko Troshanovski, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Troshanovski këto vlerësime i bëri në fund të mbledhjes së parë konstituive të grupit parlamentar ndërpartiak për ndjekjen e zbatimit të Procesit të Berlinit dhe Agjendës së reformave. Grupi përbëhet nga anëtarë të më shumë partive, kurse kryetar është deputeti Antonio Molloshoski. Duke komentuar marrjen e garacive të mundshme nga BE-ja para ndryshimeve kushtetuese, Troshanovski thotë se është e qartë që korniza negoicuese nuk do të ndryshojë por se mund të ndryshojnë kushtet mbi të cilat negociojnë vendet. Ai vëren përpjekje që garanca të tilla të krijohen me mekanizma të ndryshëm por që kjo të ndodhë tani, shanset janë të vogla. /Alsat/

Troshanovski: Ka vonesa në zbatimin e reformave në administratë dhe në gjyqësor appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version