
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot realizoi vizitë pune në Departamentin e Punëve të Brendshme të Dibrës gjatë së cilës vizitoi edhe vendkalimin kufitar “Bllatë” që ndodhet në afërsi të Dibrës.
Toshkovski me udhëheqësinë e DPB të Dibrës u informua se situata e sigurisë në të gjithë rajonin është e qëndrueshme me rezultate të dukshme në përballjen me krimin e dhunshëm, krimet kundër pronës dhe avancimin e sigurisë në trafik.
Siç bëjnë të ditur nga MPB, në takim udhëheqësia e informoi ministrin se tashmë po ndërmerren në mënyrë aktive aktivitete operative në drejtim për të siguruar proces zgjedhor të qetë, të sigurt dhe demokratik.
“Sa i përket pikës kufitare ‘Bllatë’, është regjistruar një numër dukshëm më i lartë i pasagjerëve se sa vitin e kaluar dhe vitet e mëparshme. Vendkalimi po bëhet një urë e vërtetë lidhëse për qytetarët që shkojnë për pushime në Shqipërinë fqinje dhe turistët që vijnë për pushime, trajtime, qëndrime gjatë fundjavës, vizita familjare, kremtime në shtëpi, si dhe blerje. Kështu që bashkëpunimi ynë me kolegët nga Shqipëria synon implementimin e sistemit ‘One stop’ i cili përmes zgjidhjeve shtesë infrastrukturore do të sigurojë ulje të përhershme të turmave dhe rrjedhë më efikase të udhëtarëve dhe automjeteve gjatë gjithë vitit dhe veçanërisht gjatë periudhave të rritjes së trafikut turistik”, tha Toshkovski.