
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se duhet të ketë përgjegjësi për tragjedinë në diskotekën “Puls”.
Ai tha se MPB-ja ka nisur hetimin më të madh që ka rezultuar me padi penale kundër dhjetëra autorëve, përfshirë ish-ministra dhe ministra aktualë, drejtorë, kryetarë komunash, drejtues institucionesh, nëpunës policor dhe bartës të tjerë të funksioneve.
“Fatkeqësisht, vitin e kaluar përjetuam tragjedinë më të madhe në historinë më të re të Maqedonisë, zjarri në “Puls” në të cilin humbëm 62 jetë të reja, ndërsa mbi 200 u lënduan. Ndryshe nga e kaluara kur pas ngjarjeve të tilla tragjike nuk kishte asnjë kallëzim penal të paraqitur nga MPB-ja, tani MPB-ja ka nisur hetimin më të madh deri më sot, i cili rezultoi në paraqitjen e kallëzimeve të shumta penale kundër dhjetëra autorëve, përfshirë ish-ministra dhe drejtorë aktualë, kryetarë të komunave, drejtues institucionesh, nëpunës policor dhe bartës të tjerë të funksioneve. Përgjegjësi duhet të ketë”, tha Toshkovski, në llogaridhënien për punën e bërë në vitin e kaluar.
Kujtoi se MPB-ja përveç ndihmës ekzistuese për të lënduart, së fundmi ka vënë në dispozicion edhe kompleksin tërësisht të rinovuar në Ponikva, ku tashmë është duke u zhvilluar rehabilitim i disa prej të lënduarve në zjarrin.
Toshkovski në llogaridhënien vlerësoi se tani kemi Ministri të Punëve të Brendshme që reagon dhe polici që është e dukshme në terren, por, siç tha, kemi ende shumë punë për të bërë.
“Krimi dhe korrupsioni janë sfida me të cilat përballemi vazhdimisht. Ende ka rrjete, interesa, struktura që duan të ruajnë status quo-në e tyre. Por ato nuk po ia dalin më aq mirë sa më parë, sepse tani MPB-ja u shërben qytetarëve dhe kemi një lidership që nuk hesht dhe vepron me vendosmëri, theksoi Toshkovski.
Toshkovski theksoi se vitin e kaluar kanë shkatërruar 14 grupe të krimit të organizuar, me mbi 200 autorë, përfshirë një grup brutal që ishte i përfshirë në nëntë vrasje, zhvatje, zjarrvënie dhe sulme ndaj policisë.
Toshkovski: Duhet të ketë përgjegjësi për tragjedinë në Koçan appeared first on Telegrafi.