
Temperaturat e larta kanë rritur numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Përveç rrezikut nga dehidrimi, mjekët theksojnë se gjatë kësaj periudhe organizmi dobësohet dhe bëhet më i ndjeshëm ndaj viruseve të ndryshme. Mjekja Safjane Bellçishta shpjegon se, përveç vapës, edhe ahengjet dhe grumbullimet e shumta të njerëzve kontribuojnë në përhapjen e sëmundjeve. Sipas saj, pothuajse çdo javë shfaqen viruse të reja që prekin qytetarët.
“Javën e kaluar ishin me bark qitje ose vjellje, kurse këtë javë u paraqitën më tepër me dhimbje të fytit, dhimbje të veshëve, kokë dhembje, marramendje, që na detyroi të bëjmë analiza për të parë se cili është shkaku. Shkaku më tepër është si pasojë e temperaturave të larta, që te disa persona rrezet UV të japin një temperaturë në trupin e njeriut”, deklaroi Safjane Bellçishta, Mjeke amë.
Këtë javë, një numër i konsiderueshëm pacientësh që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në këtë klinikë janë diagnostikuar me një mutacion të virusit COVID-19.
“Këtë javë më tepër u konstatua se është paraqit virusi me analizat që kemi bërë, mund të jetë një lloj i virusit Covid 19, mirëpo me mutacione që jep dhimbje në kokë, marramendje, temperaturë të lartë dhe temperatura është vetëm 1 ditë, nga 37,5 që është një temperaturë shumë e keqe, që në atë kohë organizmi ynë mundet më lehtë të merr ndonjë virus tjetër apo ndonjë bakterie”, tha Safjane Bellçishta, Mjeke amë.
Mjekët rekomandojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe, duke këshilluar konsumimin e ushqimeve të lehta dhe të freskëta, marrjen e sa më shumë lëngjeve dhe shmangien e daljes në orët më të nxehta të ditës. /Alsat/
Temperaturat e larta në RMV, rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore appeared first on Telegrafi.