“Në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, në vend u regjistruan 508 raste të abuzimit seksual të fëmijëve, ku sistemi i mbrojtjes së viktimave reagoi në mënyrë të fragmentuar, duke mos ofruar mbështetje në kohë dhe shpesh duke shkaktuar viktimizim dytësor”, thuhet në gjetjet e analizës së fundit nga Avokati i Popullit.

Sipas të dhënave që i prezantoi sot zv.Avokatja e Popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa, nga numri i përgjithshëm i viktimave në periudhën pesëvjeçare të analizuar, 455 ishin vajza dhe 53 ishin djem. Ajo theksoi se shumica e rasteve kanë të bëjnë me krime të rënda, përkatësisht 186 raste të përdhunimit të një fëmije nën moshën 15 vjeç, 99 raste të sulmit seksual dhe përdhunimit, si dhe 196 raste të jetës jashtëmartesore me një të mitur.

“Trendi alarmues vazhdon në vitin 2025 kur u regjistruan 96 fëmijë të rinj, viktima të krimeve kundër lirisë seksuale dhe moralit, nga të cilët 88 ishin vajza dhe tetë ishin djem. Mbi 57 përqind e viktimave janë midis moshës 11 dhe 15 vjeç, por, janë regjistruar edhe viktima nën moshën 10 vjeç dhe madje edhe nën tre vjeç”.

“Përfundimi i përgjithshëm është se pavarësisht ekzistencës së një kuadri formal ligjor dhe strategjik, sistemi për mbrojtjen e fëmijëve viktima nuk ofron mbështetje të qëndrueshme, në kohë dhe të përshtatur në respekt të parimit të interesit më të mirë të fëmijës. Se abuzimi seksual i fëmijëve është një problem i vazhdueshëm dhe sistemik konfirmohet nga të dhënat e ofruara nga autoritetet kompetente”, theksoi Bajramovska-Mustafa.

Ajo shtoi se analiza tregon dobësi serioze institucionale në trajtimin e tyre.

“Kur rastet arrijnë te autoritetet kompetente, sistemi reagon pa koordinim të mjaftueshëm. Në vend të mbrojtjes, fëmijët janë të ekspozuar ndaj përjetimit të përsëritur të traumës përmes marrjes në pyetje të shumëfishta, në kundërshtim me dispozitën ligjore për një intervistë të vetme”.

“Është identifikuar gjithashtu mungesa e hapësirave të përshtatshme për marrjen në pyetje, stafit të trajnuar dhe koordinimit shumëdisiplinor në qendrat e punës sociale. Procedurat gjyqësore zgjasin deri në dy vjet, ndërsa mekanizmat e kompensimit janë pothuajse jofunksionalë, me vetëm dy kërkesa për kompensim monetar të paraqitura që nuk rezultuan në mbështetje reale”.

“Siguria e fëmijëve nuk duhet të mbetet në nivelin e procedurave formale. Ajo duhet të jetë në kohë, e koordinuar dhe e zbatuar në mënyrë të vazhdueshme, sepse çdo vonesë ose lëshim ndikon drejtpërdrejt te fëmija. Çdo fëmijë ka të drejtë për siguri, dinjitet dhe mbrojtje dhe kjo e drejtë duhet të jetë reale, jo deklarative”, theksoi zv.Avokatja e Popullit.

Për të kapërcyer situatën, rekomandohet vendosja e modelit multidisiplinar “Barnahus”, i cili siguron mbrojtje të integruar ligjore, psikologjike dhe shëndetësore të fëmijës në një vend. Në fushën e parandalimit, në bashkëpunim me Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit, u zbatua një adaptim i fushatës ndërkombëtare “Një në Pesë. Ndaloni Dhunën Seksuale ndaj Fëmijëve”, përmes së cilës u trajnuan më shumë se 350 ekspertë në shkolla dhe kopshte.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me politikën penale, Bajramovska-Mustafa theksoi se vendosja e dënimeve maksimale do të ndihmonte në parandalimin e autorëve te kthimi i veprave penale.

Lidhur me regjistrin e pedofilëve, ajo theksoi nevojën për azhurnimin e rregullt të tij dhe rritjen e disponueshmërisë së tij me qëllim informimin më të mirë të institucioneve arsimore dhe familjeve.

Lidhur me rastet aktuale të abuzimit seksual që kanë shkaktuar reagim në publik, Bajramovska-Mustafa sqaroi se po veprohet në bazë të informacioneve të dëgjuara.

“Viktimat nuk paraqesin ankesa, prindërit nuk paraqesin ankesa në Institucion, megjithatë, nga aspekti i mbrojtjes së fëmijëve, nga aspekti i monitorimit të efikasitetit të veprimeve të institucioneve, në aspektin se si proceduralisht fëmija mbrohet në këto procedura, pavarësisht nëse bëhet fjalë për procedurë para Prokurorisë Publike, gjyqësorit e kështu me radhë, ne i monitorojmë ato në përputhje me kompetencat tona, me iniciativën tonë”, përfundoi zv.Avokatja e Popullit./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version