Pasi Qeveria emëroi sot të besuarit e saj në komunat ku do të ketë rivotim më 11 janar, ka reaguar kreu Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, informon Telegrafi Maqedoni.
Edhe pse qeveria vendosi që me Gostivarin të udhëheqë Fadil Xhelili, Taravari në reagimin e tij në Facebook shkruan se ardhja e re është zëvendësim i të besuarit nga populli, duke iu referuar Valbon Limanit i cili doli fitues në zgjedhjet e 19 tetorit.
Reagimi i plotë:
“Sot ka ardhur në Komunë “i besuari” i Qeverisë për të zëvendësuar Të Besuarin nga Populli. Në 11 Janar Gostivari do të flasë prapë e më fuqishëm se për ne ka vetëm një Kryetar dhe ai është Valbon Limani!”
Kujtojmë se sot qeveria emëroi të besuarit e saj në katër komunat ku nuk u arrit cenzusi në zgjedhjet e 19 tetorit, dhe atë: Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë. /Telegrafi/

