Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka kritikuar ashpër koalicionin VLEN, duke e cilësuar atë si një “moçal politik”.
Taravari në “Debat në Shenja” tha se situata brenda koalicionit është e papranueshme dhe e mbushur me përplasje të vazhdueshme mes eksponentëve të tij.
“Mua VLEN-i më duket një moçal politik, realisht. Është e gërditshme kur e sheh çfarë ndodh brenda. Janë përplasje të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Ne s’kemi asnjë lidhje me ta dhe as që më intereson kush do të jetë në krye – qoftë Azir Aliu, Arben Fetahu, Fatmir Limani apo Bilall Kasami,” deklaroi Taravari.
Ai shtoi se shpreson që subjektet brenda këtij koalicioni të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje dhe të unifikohen, pasi sipas tij, përçarjet e brendshme po dëmtojnë imazhin politik.
Taravari u kërkoi falje publike qytetarëve shqiptarë për premtimin e dhënë në vitin 2024 për ndryshim.
Ai tha se nëse situata aktuale pas 20 muajve qeverisje nga VLEN-i konsiderohet si “ndryshimi” i premtuar, atëherë ndjen përgjegjësi dhe kërkon falje për zhgënjimin e shkaktuar.
Ai tha se ka vetëm një ASH dhe se ato brenda VLEN-it janë shoqata aksionare.
“Nuk ka plot Aleanca, ka vetëm një pjesë e drejtorëve të Aleancës që kanë mbetë me VLEN-in. Ato janë VLEN. Sela ka të drejtë të thotë sepse ka qenë ish-kryetar i partisë, e ka udhëhequr partinë një kohë, dhe ndarja mes Aleancave ajo ka qenë. Edhe aty mund të ketë një kontest. Këto janë një shoqatë aksionare, që janë në VLEN”, tha Taravari. /Telegrafi/

