Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova realizoi takim me të dërguarën speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pirs, vizitën e së cilës e vlerësoi si një tregues të qartë të interesit dhe angazhimit britanik ndaj Ballkanit Perëndimor.

Sipas Siljanovska-Davkovës, vlerësimi i progresit duhet të jetë meritokratik, me fokus në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenës. Siljanovska-Davkova, siç njoftoi sot pasdite kabineti i saj, vuri në dukje destruktivitetin e bilateralizimit të procesit të negociatave nën kërcënimin me veto.

Ajo informoi për ngopjen dhe lodhjen e qytetarëve të Maqedonisë nga precedentët e shumtë, bllokadat dhe standardet e dyfishta. Për të, mohimi i identitetit kombëtar dhe kulturor, si dhe mosrespektimi i dinjitetit dhe integritetit të qytetarëve maqedonas, është në kundërshtim me vlerat dhe parimet themelore evropiane.

Tejkalim të mundshëm të bllokadës, siç citohet në kumtesë, presidentja sheh në interpretimin kreativ të Kornizës negociuese dhe kompetencën e Komisionit të përzier për çështje historike dhe arsimore.

Përfaqësuesja speciale Karen Pirs shprehu mirëkuptim për nevojën e kapërcimit të bllokadës së integrimit evropian të Maqedonisë.

Bashkëbisedueset e vlerësuan bashkëpunimin e Britanisë së Madhe dhe Maqedonisë së Veriut si të suksesshëm, duke shprehur gatishmëri për thellimin dhe zgjerimin e tij. Të dy presin përfitime të rëndësishme për rajonin nga Samiti i ardhshëm i procesit të Berlinit në Londër.

Takimi Siljanovska-Pirs: Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të lodhur nga bllokadat dhe standardet e dyfishta nga negociatat për integrimin e vendit në BE appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version