
Dy të rinj të Shkollës së Mesme Ekonomike në Tetovë, mbrëmë janë sulmuar nga një grup tifozësh maqedonas, ndërsa nga lëndimet e marra kanë përfunduar në spital.
Rastin e ka konfirmuar edhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, prej ku thonë se do të ketë detaje pas dokumentimit të rastit. Të miturit pas marrjes së trajtimit mjekësor, janë lëshuar për kurim shtëpiak, ndërsa nga policia thonë se kanë ndaluar personat e dyshuar dhe të njëjtit janë ftuar për bisedë informative.
Prindërit e fëmijëve të rrahur, kërkuan që institucionet të zbardhin këtë rast sa më shpejt të jetë e mundur.
“Mbrëmë rreth orës 18 janë sulmuar fëmijët nga grupi Vojvodët, nxënësit janë 15-vjeçar në Shkollën Ekonomike. Janë të lënduar shumë, pasi nuk janë goditur vetëm me grushta, por edhe me diçka tjetër. Është shumë shqetësuese për ne si prind, pasi fëmijët tani kanë filluar me shkollën”, tha prindi i njërit prej të miturit.
Ky incident menjëherë shkaktoi edhe reagime të partive politike, të cilat dënuan aktet e dhunës. Ato në opozitë kërkuan që organet e rendit të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij sulmi.
Ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend.
“Kërkojmë me urgjencë nga organet e rendit dhe drejtësisë që brenda orëve të ardhshme të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij sulmi. Çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike. U bëjmë thirrje të rinjve shqiptarë në Tetovë të mos bien pre e provokimeve dhe të mos bëhen pjesë e skenarëve të mundshme dhe të rrezikshëm që synojnë destabilizim dhe tension ndëretnik”.
“Njëkohësisht e themi qartë: heshtja institucionale dhe mosndëshkimi i autorëve vetëm sa i thellojnë dyshimet për këto skenare, dëshmojnë padrejtësinë dhe u japin krah dhunuesve. Kjo është hera e dytë brenda kësaj jave që të rinjtë shqiptarë sulmohen, më parë në Manastir dhe tani në Tetovë. Ky është një sinjal alarmi për të gjithë: shteti duhet të reagojë menjëherë, sepse dhuna nuk do të tolerohet kurrë”, thanë nga BDI.
Ndërsa ato në pushtet, VLEN, thonë se rastet e tilla janë kujtim i keq nga e kaluara që po ringjallen para zgjedhjeve, e po keqpërdoren për t’i fryrë tensioneve ndëretnike.
“Ne e përshëndesim reagimin e shpejtë të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, të cilët në kohë rekord identifikuan dhe arrestuan disa prej grupit të tifozëve të dyshuar. Ky reagim i shpejtë është porosi e qartë dhe e prerë se incidente të tilla nuk do të lejohen dhe autorët nuk do të kalojnë pa ndëshkim, siç ndodhte në të kaluarën. Njëkohësisht i bëjmë thirrje oponentit politik, AKI-së, dhe strukturave të lidhura me të, që të mos keqpërdorin dhe nxisin raste të tilla duke menduar se do të fitojnë politikisht”.
“Qytetarët e dinë mirë se kush tenton të përfitojë nga nxitja e tensioneve ndëretnike, duke mos kursyer as nxënësit dhe fëmijët. Ata gjithashtu e kujtojnë se rastet e tilla paraqiten vetëm kur BDI-ja e ka punën pisk para zgjedhjeve. Por, ndryshe nga e kaluara kur dhunuesit e fëmijëve shqiptarë mbroheshin nga shteti dhe nuk sanksionoheshin, kjo Qeveri nuk do të lejojë që incidentet e tilla të kalojnë pa ndëshkim”, thonë nga VLEN./Telegrafi/
Sulmohen fizikisht dy të rinj në Tetovë – policia nis hetimet, partitë politike dalin me reagim appeared first on Telegrafi.