
Me parrullën “në Strugë të kem mushkëri”, dhe me bllokim njëorësh të udhëkryqit drejt Dibrës dhe Qafë Thanës, banorët e Strugës shprehën sot revoltën e tyre për problemin aktual me të cilin përballet qyteti gjatë vite, deponia ilegale e qytetit, e cila ndodhet vetëm 500 metra larg shtëpive të para. Banorët thonë se prej më shumë se një muaj përballen edhe me aromën e padurueshme të tymit që vjen nga deponitë e shumta ilegale
“Dritaret tona kanë qenë të mbyllura për 24 orë. Ne kërkojmë që institucionet përkatëse ta zgjidhin këtë problem sa më shpejt të jetë e mundur. Ata na helmuan fëmijët, pastaj edhe ne. Ne jemi këtu për të marrë përgjigje nga autoritetet nëse ky problem do të zgjidhet. Ne e ndiejmë helmin, acidin që na mbyt dhe na djeg sytë”, tha Jadranka Domazetoski- koordinatore e protestës.
“Për fëmijët dhe për të gjithë ne këtu, frymëmarrja është katastrofike. Por siç mund ta shihni, banorët e Strugës shkruajnë në Facebook, në rrjetet sociale se do të dalin, se është kështu, se është ashtu, por askush nuk do të dalë nga frika e çështjeve të partisë, gjoja se nuk lejohen të shkojnë në punë, kanë frikë.
Por, kjo nuk është parti, kjo është për qytetarët e Strugës. Nuk mund të hapim derën dhe dritaren për të lënë ajër të pastër në shtëpi. Brenda mban erë, sikur të kemi gomë të djegur”, tha një banor i Strugës./Alsat/