
30 % e banorëve të Strugës i kanë paguar faturat e ujit për muajin shkurt. Pothuajse gjatë gjithë muajit shkurt, Struga mbeti pa ujë të pijshëm për shkak të ndotjes së burimeve në Shum. Këshilli i qytetit vendosi që qytetarët të lirohen nga pagesa e faturave për muajin shkurt.
Nga Ujësjellësi për Alsat thonë se nga 8.5 milionë euro të planifikuara, kanë arritur të arkëtojnë vetëm 3 milionë euro.
“Me shumë gjasë faturat do të rimbursohen deri në fund të vitit. Nuk do të kompensohen njëherësh, por në disa këste, pasi ndërmarrja do të vendosej në një gjendje të vështirë financiare. Prandaj i ftoj të gjithë ata që i kanë lënë faturat e papaguara, t’i shlyejnë për muajin shkurt dhe shuma do t’u kompensohet gjatë vitit,” deklaroi Jovanço Meçkaroski – drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Strugë.
Për avokatin Besnik Asani, me dorëzimin e faturave për muajin shkurt, “Ujësjellësi” është vendosur mbi Këshillin e komunës.
“Kjo nuk është vetëm edhe një copë letre, kjo është anarki institucionale. Dua sot të theksoj qartë se ky mosrespektim ka pasoja shumë serioze juridike dhe financiare. Së pari, këto fatura janë të pavlefshme. Nëse qytetarët me të drejtë nuk i paguajnë, dhe institucioni tenton t’i dërgojë përmbaruesve, këto raste do të bien në gjykatë në bazë të vendimit të këshillit. Dhe çfarë do të ndodhë atëherë? Kjo do të thotë se institucioni do të hyjë në borxhe të mëdha për shkak të shpenzimeve gjyqësore dhe avokatëve. Kush do t’i paguajë këto shpenzime? Përsëri ne, qytetarët. Së dyti, injorimi i vendimeve të komunës nuk është lojë. Kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e detyrës zyrtare,” tha Besnik Asani – avokat.
Asani kërkon nga kreu i Komunës dhe Këshillit që t’i mbrojnë vendimet, që vetë i kanë marrë dhe urgjentisht t’i kërkojnë Ndërmarrjes t’i tërheqë këto fatura. Ndërsa Meçkaroski thotë se vendimi i Këshillit është marrë pas dorëzimit të faturave, dhe se ai është publikuar në Gazetën Zyrtare të enjten e kaluar. /Alsat.mk



