Skuadra e Struga Trim Lum nuk njeh për humbje në startin e sezonit të ri në elitën e futbollit vendor. Ekipi i drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi regjistroi edhe fitoren e pestë radhazi, kësaj radhe me rezultat bindës 3-0 ndaj Tikveshit, duke dëshmuar se është skuadra më e fortë dhe më e qëndrueshme në këtë fillimkampionat së bashku me Sileksin, njofotn Telegrafi.
Struga jo vetëm që i ka fituar të gjitha ndeshjet, por mbrojtja e saj është shndërruar në mur të pakalueshëm: pas pesë xhirove të para, skuadra ka pësuar vetëm një gol të vetëm. Ky fakt e bën ekipin e Shkëmbit një nga më të disiplinuarit në aspektin defanziv.
Në takimin e fundit, hero i skuadrës ishte përsëri sulmuesi kryesor Basiru Compaore. Ai shënoi dy gola, të parin nga penalltia në minutën e 40-të dhe të dytin me kokë në minutën e 58-të, duke e çuar kuotën personale në 7 gola në 5 ndeshje. Ndërkohë, Marjan Radeski vulosi fitoren me golin e tretë në minutën e 79-të.
Me këtë triumf, Struga mbetet krah për krah me Sileksin në krye të tabelës, të dy me nga 15 pikë të plota. Ndeshja e radhës për kuqeblutë është super-derbi ndaj Shkëndijës, që pritet të jetë testi më serioz për ekipin e Shkëmbit në këtë start perfekt. /Telegrafi/