Futbollistët e Arsimit shënuan fitoren e tyre të parë historike në elitën e futbollit vendor, pasi triumfuan bindshëm me 0-4 (0-0) në transfertën ndaj Pelisterit, në kuadër të xhiros së pestë, njofton Telegrafi.

Edhe pse vendasit nga Manastiri zhvilluan një pjesë të parë të shkëlqyer, duke goditur dy herë shtyllën, në fund u ndëshkuan për gabimet e tyre.

Pjesa e parë kaloi me dominim të Pelisterit, të cilët kishin më shumë posedim dhe raste, por nuk arritën të shënojnë. Në minutën e 66’, Armin Besagiq zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të bukur që nisi nga krahu i majtë.

Në minutën e 81’, Taipi dyfishoi, pasi fillimisht iu anulua goli për pozitë jashtë loje, por pas verifikimit në VAR u pranua. Vetëm pak çaste më vonë, Shefit Shefiti shënoi golin e tretë për mysafirët. Në minutat shtesë, Leonid Ignatov vulosi fitoren me rezultatin final 0-4.

Kjo fitore historike i ngjit Arsimin në kuotën e 5 pikëve, duke u renditur në vendin e 7-të, ndërsa Pelister mbetet një pozitë më lart me 6 pikë.

Në xhiron e ardhshme të mesjavës, Arsimi pret Vardarin, ndërsa Pelisteri udhëton në Shkup për t’u përballur me Rabotniçkin. /Telegrafi/

Share.
Exit mobile version