Ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, do të kërkojë shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg, pasi nga Gjykata Penale është njoftuar se më 2 korrik duhet të paraqitet në Burgun e Shkupit për të filluar vuajtjen e dënimit.
Lajmin e konfirmoi vetë Jakimovski për mediat, duke theksuar se ekzistojnë arsye të arsyeshme për shtyrje. Këtë e konfirmoi edhe avokati i tij, Viktor Cvetkovski, i cili tha se Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve parashikon mundësinë e shtyrjes së hyrjes në burg.
“Ekziston mundësi ligjore dhe ka arsye të arsyeshme shëndetësore. Po, sigurisht që do të kërkojmë shtyrje”, deklaroi avokati Cvetkovski.
Sipas ligjit, shtyrja e fillimit të vuajtjes së dënimit mund të miratohet në raste të caktuara, si trajtimi spitalor për sëmundje të rënda, probleme serioze familjare, përfundimi i detyrimeve të domosdoshme profesionale apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj.
Në rastet kur kërkesa bazohet në gjendjen shëndetësore, shtyrja mund të zgjasë deri në përfundimin e trajtimit, ndërsa i dënuari është i detyruar të paraqesë dëshmi për gjendjen e tij shëndetësore çdo 30 ditë.
Kërkesa për shtyrje duhet të dorëzohet brenda tre ditëve nga pranimi i aktit për paraqitje në burg.
Kujtojmë se së fundmi Gjykata e Apelit e bëri të formës së prerë dënimin prej një viti burg për Stevço Jakimovskin, lidhur me rastin e ndërtimit të objektit komunal në Karposh.
Megjithatë, ai nuk do ta vuajë të gjithë dënimin prej një viti, pasi në llogaritjen e tij përfshihen edhe pesë muajt e kaluar në paraburgim. Kështu, atij i mbeten edhe rreth shtatë muaj për t’i vuajtur në burgun e Shutkës.
Ndërkohë, Jakimovski ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë edhe në Gjykatën Supreme, ku do të kontestojë vendimin e formës së prerë.

