Subvencionimi i shujtës studentore ka mbetur i njëjtë tani e dy vite. Ndonëse shporta e konsumit është rritur dhe shpenzimet e jetesës janë shtrenjtuar, studentët për dy vite kanë marrë vetëm 140 denarë për shujtën ditore. Nga Kuvendi studentor kërkojnë që nga viti i ardhshëm ata të marrin 10 denarë më shumë, duke vlerësuar se kjo rritje modeste do të zbusë shpenzimet e tyre studentore.

“Herën e fundit, shuma e subvencionimit të shujtës studentore është rritur në 2023 nga 120 në 140 denarë. Sipas ligjit, si trup nacional studentor që përfaqëson të gjithë studentët në këtë shtet kërkojmë që gjatë planifikimit dhe para miratimit të buxhetit të shtetit 2026, të parashikohen mjete për rritjen e kësaj shume nga 140 në 150 denarë”, tha Dimitar Atanasovski, kryetar i Kuvendit Studentor “Klimenti i Ohrit” Manastir.

Sipas të dhënave të Entit të statistikave, norma e inflacionit në 2024 në nivel vendi ishte 3,5% dhe sipas parashikimeve të Fondit monetar ndërkombëtar për këtë vit inflacioni do të jetë 3,4%. Duke iu referuar këtyre shifrave, përfaqësues i studentëve Nikollovski tha se kjo rritje nuk është privilegj për studentët por një hap i domosdoshëm për ruajtjen e vlerës reale të shujtës studentore.

“Implikimet financiare për këtë rritje janë si në vijim: nëse merret parasysh që në mesatare prej 30 mijë studentëve në vend janë shfrytëzues të kësaj mase, gjatë 9 muajve të një viti atëherë për këtë rritje janë të nevojshme 70,2 milion denarë shtesë nga buxheti ose 1,141 milion euro gjatë një viti”, tha Aleksandar Nikollovski, përfaqësues i Trupës Studentore.

Kjo kërkesë është adresuar sot te Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ministrja Vesna Janevska tha se do të bëjnë përpjekje që këtë kërkesë tu realizojnë në planifikimin buxhetor të vitit të ardhshëm 2026.

“Mendoj se mund të flasim për këtë çështje të merremi vesh por në këtë moment nuk mund të garantoj sepse buxheti i Ministrisë së arsimit varet nga buxheti i shtetit por do të angazhohem nëse është e mundur që për vitin e ardhshëm të realizohet kjo sepse mendoj sinqerisht që studentët duhet të kenë kushte për të mësuar”, u shpreh Janevska.

Sipas Nenit 2, Paragrafi 1 i Ligjit për subvencionimin e shujtës studentore shuma e së njëjtës miratohet sipas normës së inflacionit pas çdo viti fiskal para miratimit të buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm.

Sot nis aplikimi për shujtën studentore, studentët kërkojnë rritje për 10 denar appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version