Pas një ndërprerjeje katërvjeçare, sot në Uashington do të mbahet sesioni i dytë i Dialogut Strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.
Delegacioni i nivelit të lartë qeveritar kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski, ndërsa do të marrin pjesë edhe Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski dhe Ministrja e Energjisë Sanja Bozhinovska.
“Dialogu Strategjik përfaqëson një platformë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara, me fokus në fushat kryesore me interes të ndërsjellë, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin teknologjik, ekonominë, tregtinë dhe energjinë, si dhe luftën e përbashkët kundër kërcënimeve transnacionale dhe forcimin e sigurisë kufitare”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë në një deklaratë.
Nga atje shtojnë se mbajtja e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik konfirmon vazhdimësinë e aleancës midis dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për të promovuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në rajon dhe më gjerë./Telegrafi/

