Sot në vendkalimin kufitar Tabanoc–Preshevë është vënë zyrtarisht në funksion Sistemi “One Stop”, për kontroll të përbashkët dhe të integruar kufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministrat e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe Ivica Daçiq, të cilët theksuan rëndësinë strategjike të këtij projekti për lëvizjen e lirë dhe sigurinë kufitare.

“Kjo është një zgjidhje që do të përshpejtojë ndjeshëm kalimin e qytetarëve dhe mallrave. Tabanoci është vendkalimi më i ngarkuar në vend dhe ka ardhur koha për efikasitet të ri”, deklaroi ministri Toshkovski.

Sistemi “One Stop” eliminon kontrollet e dyfishta, duke i përqendruar ato në një pikë të vetme – kështu zvogëlohet koha e pritjes dhe shmanget mbingarkesa, sidomos në muajt e verës kur trafiku rritet ndjeshëm.

Paralelisht, kanë nisur përgatitjet për vendosjen e këtij modeli edhe në kufirin Pelinci–Prohor Pçinski, ndërsa ai tashmë funksionon me Kosovën, në pikat kufitare Bllacë dhe Jazhincë. Me Shqipërinë janë në rrjedhë bisedimet për vendkalime të reja, ndërsa me Bullgarinë dhe Greqinë, si shtete të BE-së, po bëhen përmirësime organizative.

Ky model është një hap i madh drejt bashkëpunimit rajonal, lehtësimit të qarkullimit, dhe afrimit me standardet e BE-së në menaxhimin e kufijve.

Sot fillon të sistemi “One Stop” në Tabanoc appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version