Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke i akuzuar për mungesë reagimi dhe guximi politik në prag të zgjedhjeve lokale dhe pas një vendimi të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese.
Në një deklaratë të shpërndarë sot, Snopçe rikujtoi se kanë kaluar plot 25 ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili anuloi metodologjinë që ndante qytetarët në rezidentë dhe jorezidentë, por sipas tij, “VLEN ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të reflektuar këtë vendim në vendimet qeveritare.”
“Si duket, VLENI ende po FLEN,” u shpreh Snopçe në deklaratën e tij.
Deputeti i ASH gjithashtu ngriti alarmin për mungesën e reagimit lidhur me vendimin e qeverisë për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve komunalë, vendim që sipas tij prek më së shumti komunat shqiptare.
“Pas afërsisht dy javëve do të shpallen zgjedhjet lokale dhe VLEN ende nuk kërkon që të anulohet vendimi i qeverisë për zvogëlimin drastik të numrit të këshilltarëve”, theksoi ai.
Snopçe u bëri thirrje ministrave të VLEN që të reagojnë në mbledhjen e nesërme të qeverisë dhe të kërkojnë rikthimin e ndarjes së vjetër për numrin e këshilltarëve, duke i kujtuar se kjo kërkon vetëm “pak guxim përballë kryeministrit Mickoski”.
Snopçe, VLEN-in: Kur do e shfuqizoni vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve appeared first on Telegrafi.