Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e 28 shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, ka uruar të gjithë bashkëqytetarët e komunitetit boshnjak.
“Kjo festë e rëndësishme është simbol i aspiratës për afirmimin e identitetit, traditës dhe sistemit të vlerave të boshnjakëve, si pjesë integrale e hapësirës kulturore dhe politike të Ballkanit. Padyshim, festimi i kësaj date është një kujtesë se jeta e çdo bashkësie fiton kuptim të plotë vetëm kur ajo njihet, respektohet dhe vlerësohet në shoqëri”, thuhet në urimin nga Siljanovska-Davkova.
“Në një shtet modern dhe demokratik, siç synon të jetë Republika jonë, vendi i secilës bashkësi etnike nuk është margjinal, por thelbësor: në proceset e bashkëjetesës, kohezionit qytetar dhe punës së përkushtuar për një të ardhme më të mirë. Në fund të fundit, progresi i vërtetë i një shoqërie nuk matet vetëm nga parametrat ekonomikë, por edhe nga shkalla e respektit dhe përfshirjes së të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo kulturore. Në këtë kuptim, Dita Ndërkombëtare e Boshnjakëve është gjithashtu një mundësi për reflektim, për t’i kujtuar vetes se bashkësia nuk është vetëm një ideal politik, por një nevojë praktike dhe thelbësore për stabilitet dhe harmoni në shoqëri. Kjo kërkon besim të ndërsjellë, dialog të sinqertë dhe hapje ndaj diversitetit, vlera që qytetarët tanë gjithmonë i kanë pasur dhe vazhdojnë t’i kultivojnë dhe zhvillojnë.
“Festa e sotme le të jetë frymëzim për të vazhduar rrugën e përbashkët drejt një shoqërie me mundësi të barabarta, dinjitet dhe shanse për të gjithë. U uroj boshnjakëve, por edhe të gjithë bashkëqytetarëve, një festë të mbushur me krenari, gëzim, lumturi dhe mendime pozitive. Gëzuar 28 shtatorin – Ditën e Boshnjakëve”, thuhet në urimin nga Siljanovska-Davkova.