Një pllakë përkujtimore është shpalosur sot për ngjarjen e Bit Pazarit të vitit 1992, ku mbetën të vrarë katër qytetarë të Shkupit.
Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti me rastin e kësaj ceremonie tha se ngjarja e Bit Pazarit nuk duhet të harrohet kurrë.
Postimi i plotë:
Ka vende ku guri nuk është gur, por lavdi e gdhendur. Ka data që nuk u takojnë vetëm historianëve, por edhe ndërgjegjes. Bit Pazari i vitit 1992 është një nga ato vende. 6 dhe 7 nëntori janë nga ato data.
Sot e shkruam në gur, një ngjarje që nuk guxon të harrohet kurrë. Shpalosëm pllakën përkujtimore për ngjarjen e Bit Pazarit të vitit 1992, si kujtesë për dhimbjen, refuzim për harresën, thirrje për drejtësi!
Bit Pazari i ’92-shit është mesazh. Është provë. Është borxh. Është harta morale e shqiptarëve. Prej aty shihet gjithçka: edhe padrejtësia e djeshme, edhe përgjegjësia e sotme, edhe drejtimi i të ardhmes.
Përgjigjja jonë është ndërtimi i institucioneve të forta, drejtësisë që nuk përkulet dhe barazisë që nuk bëhet kompromis. Sepse vetëm kështu u jepet kuptim sakrificave dhe sigurohet që padrejtësia të mos përsëritet kurrë.
Shpaloset pllaka përkujtimore për ngjarjen e Bit Pazarit të vitit 1992, ku mbetën të vrarë katër qytetarë të Shkupit appeared first on Telegrafi.