
Një person ka humbur jetën pasditen e së dielës në fshatin Lybeniq të Pejës, pasi që i njëjti derisa ishte duke pastruar një bunar ka rënë në të.
Nxjerrja e trupit të pajetë ka zgjatur për disa orë. Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës përmes një njoftimi ka dhënë detaje rreth operacionit për nxjerrjen e trupit të viktimës.
“U realizua me sukses operacioni për nxjerrjen e trupit të pajetë të viktimës nga pusi në Lybeniq të Pejës. Nxjerrja e trupit të viktimës u realizua përmes organizimit teknik të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës dhe të kompanisë së Kërkim-Shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
ShKShMK ka njoftuar se kishte pranuar një thirrje nga Policia e Kosovës për një aksident në fshatin Lybeniq, komuna e Pejës.
“Skuadrat e ShKShMK-së janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të filluar operacionin. Në vendngjarje ishin të pranishëm Policia e Kosovës, njësitet e zjarrfikësve dhe emergjencave. Një person kishte rënë në pus gjatë punës për pastrimin e tij. Për shkak të thellësisë, pranisë së gazrave dhe mungesës së oksigjenit, operacioni kërkoi koordinim të ngushtë ndërmjet të gjitha palëve kompetente për nxjerrjen e viktimës”, thuhet tutje në njoftim.
Nxjerrja e trupit të viktimës u realizua përmes organizimit teknik të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës dhe të kompanisë së Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ngushëllime familjarëve të viktimës”. /Telegrafi/