Në Tetovë u luajt një derbi i zjarrtë shqiptar i javës së pestë në elitën e futbollit të Maqedonisë, ku Shkëndija mposhti Bashkimin me rezultat 2-1. Ky ishte triumfi i tretë sezonal për kampionët në fuqi, të cilët në fund ruajtën epërsinë dhe shënuan fitore të vlefshme para tifozërisë kuqezi, njofton Telegrafi.
Fillimi i takimit solli raste të shumta për vendasit. Besart Ibraimi në minutën e 11-të rrezikoi, por u ndal nga pozita jashtë loje. Pas disa minutash, pas një këndoreje, Ramadani u gjend i lirë dhe me një goditje me kokë e çoi Shkëndijën në epërsi 1-0. Deri në fund të pjesës së parë kuqezinjtë patën edhe tri mundësi të arta me Trumçin, Krasniqin dhe Latifin, por portieri mysafir Jashari ishte i pakalueshëm.
Në minutën e 53-të, Shkëndija e dyfishoi rezultatin. Pas një aksioni ku Ibraimi tërhoqi dy mbrojtës, topi iu drejtua Tambës, i cili me kthim e dërgoi në rrjetë për 2-0.
Bashkimi megjithatë nuk u dorëzua. Fillimisht iu anulua një gol për pozitë jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it, ndërsa në minutën e 76-të Haxhiq shënoi nga pika e bardhë për të ngushtuar shifrat në 2-1. Ky gol riktheu emocionet në derbin shqiptar, por në vazhdim Shkëndija e menaxhoi më mirë lojën.
Kuqezinjtë patën edhe disa mundësi shtesë me Tambën dhe Ramadanin për ta vulosur fitoren, por portieri i Bashkimit sërish u tregua në nivel. Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi dhe Shkëndija festoi fitoren e tretë në këtë kampionat. Në tribuna të pranishëm ishin “Ballistët” e Shkëndijës dhe :Ilirët” e Bashkimit, dy tifozeri të cilët i dhanë peshë edhe më të madhe këtij dueli.
Në javën e ardhshme kuqezinjtë do të zhvillojnë një tjetër derbi shqiptar, këtë herë në Strugë përballë Struga Trim Lum, ndërsa Bashkimi në Kumanovë pret Sileksin. /Telegrafi/