Nevojën për miratimin e ndryshimeve ligjore për të vënë rregull në trafik, mbase e tregojnë më miri shifrat statistikore të autoriteteve policore të Maqedonisë që sot i publikoi për muajin gusht. Mbi 19.300 shkelje janë konstatuar, ndërsa mbi 6700 kanë të bëjnë me shoferët kanë drejtuar makinën me shpejtësi më të lartë se e lejuara.
“Janë privuar nga liria për drejtim të pakujdesshëm të automjetit sipas nenit 297-a nga Kodi Penal 82 persona, prej të cilëve 46 për vozitje nën ndikim të alkoolit, 10 nën ndikim të drogës, dy për vozitje në drejtim të ndaluar, 13 për tejkalim të shpejtësisë në vendbanim dhe 11 për tejkalim të shpejtësisë jashtë vendbanimit”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Policia ka ndëshkuar mbi 4.100 persona për parkim të parregullt, 1.825 persona janë kapur duke drejtuar automjetin pa patentë shoferi, ndërsa 455 të tjerë janë gjobitur për vozitje nën ndikim të alkoolit.
411 automjete, Policia i ka larguar nga trafiku për shkak se kanë qarkulluar pa regjistrim, ndërsa 92 të tjera për parregullsi teknike. Gjoba gjatë muajit gusht janë shqiptuar edhe për shoferët e motoçikletave, trotineteve elektrik, por edhe këmbësorëve.
Ministria e Punëve të Brendshme, informon se do të vazhdojnë me kontrollet, derisa deri në fund të vitit pritet të mbarojë procedura e ndryshimeve ligjore për të vënë në funksion Sistemin “Safe city”, i cili sipas paralajmërimeve do të fillojë të zbatohet nga një janari i vitit 2026.
Dënimet për shkeljet që do të kapen nga kamerat e rrugëve do të dërgohen te kryerësit përmes e-mailit ose sms-porosive kurse pronari i veturës mundet të pranojë fajin ose të dëshmojë se dikush tjetër ka drejtuar veturën e tij. Përveç kësaj, kufizohet edhe përdorimi i celularëve nga këmbësorët dhe drejtuesit e biçikletave.
Nevojën për shtrëngimin e masave në trafik, e nxiti aksidenti i 29 janarit të këtij viti kur Vasill Jovanov e shkeli për vdekje Frosina Kullakovën, derisa ka qenë duke ecur në viza të bardha. Jovanov kishte goditur viktimën, duke drejtuar makinën pa patentë shoferi, duke qenë në gjendje të dehur, me shpejtësi më të lartë se e lejuara dhe në semafor të kuq. Zemërimin e qytetarëve të cilët disa herë protestuan nëpër rrugët e qytetit, e shtoi edhe fakti që Jovanov kishte shkelur Frosinën në kohën kur do të duhej të kishte qenë në burg, pasi paraprakisht ishte kapur me marijuanë dhe kokainë. /Alsat
Shkelja e rregullave të trafikut, MPB: 82 persona janë arrestuar gjatë muajit gusht appeared first on Telegrafi.