
Pas Kërçovës dhe Strumicës, nga sot masat urgjente kundër ndotjes së ajrit aktivizohen edhe në Shkup, pasi stacionet matëse kanë treguar tejkalim të përqendrimeve të lejuara të grimcave ndotëse në disa komuna të Shkupit.
Mjegulla e shtuar e përkeqëson edhe më tej gjendjen, ndërsa nivele të larta të ndotjes janë regjistruar edhe në qytete të tjera të vendit.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka aktivizuar protokollet për mbrojtjen e shëndetit publik, me theks të veçantë në mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve.
Në përputhje me masat qeveritare, punëdhënësit kanë detyrim t’i lirojnë nga detyrimet e punës këto kategori personash:
gratë shtatzëna, personat mbi moshën 60 vjeç, personat me astmë kronike, personat që kanë kaluar infarkt të miokardit ose goditje në tru, pa marrë parasysh moshën.
Pulmologët u bëjnë thirrje qytetarëve që ta kufizojnë sa më shumë qëndrimin në ambiente të hapura, veçanërisht nëse nuk kanë nevojë urgjente për të dalë.
“Orët më kritike janë herët në mëngjes dhe në orët e vona të mbrëmjes, kur përqendrimet e grimcave të dëmshme janë më të larta. Nëse lëvizja është e domosdoshme, rekomandojmë përdorimin e transportit publik në vend të automjeteve personale”, këshillojnë mjekët.
Institucionet përgjegjëse u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin rregullisht rekomandimet dhe njoftimet zyrtare derisa të zgjasë episodi i ndotjes së ajrit.




